Irani kërcënon vendet e Gjirit: Bindeni Trump të ndalë luftën kundër nesh

Nga Erjon Dervishi
6 Gusht 2026, 19:01 | Bota

Irani ka ndërmarrë një nismë të koordinuar diplomatike me shtetet e Gjirit, duke i paralajmëruar shprehimisht se Teherani do të godasë impiantet e tyre të naftës, energjisë dhe ujit, nëse ato nuk bindin Donald Trumpi t'i japë fund sulmeve amerikane ndaj Iranit dhe, në vend të kësaj, të kërkojë një zgjidhje të negociuar për luftën, shkruan A2 CNN.

Paralajmërimi përfshinte sulme ndaj objekteve energjetike, fushave të naftës, rafinerive, rrjeteve elektrike, infrastrukturës së ujit, rrjeteve të transportit dhe aseteve të tjera strategjike të aleatëve më të ngushtë arabë të Uashingtonit, sipas një zyrtari të lartë Iranian, thekson Reuters.

Mesazhi – pjesë e një përpjekjeje më të gjerë iraniane për të penguar veprime të mëtejshme ushtarake amerikane duke ngritur mundësinë e tronditjeve të rënda ekonomike në të gjithë rajonin e Gjirit – u përcoll përmes një sërë kontaktesh diplomatike të nivelit të lartë, pasi Trump kërcënoi më 28 korrik se do të godiste rrjetin energjetik dhe infrastrukturën e Iranit.

Dy zyrtarë të lartë iranianë, dy burime nga Gjiri dhe një diplomat i lartë rajonal në dijeni të diskutimeve thanë se Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, foli me homologët e tij sauditë, turq dhe të Katarit, si dhe me shefin e ushtrisë së Pakistanit. Të gjithë folën në kushtet e anonimitetit për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Araqchi u bëri thirrje aleatëve të Uashingtonit në Gjirin Persik që të përdorin ndikimin e tyre te Trumpi për ta bindur atë të mos niste sulme të reja, tha diplomati i lartë, duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj Iranit do të shkaktonte hakmarrje kundër aseteve amerikane dhe infrastrukturës kritike në të gjithë rajonin e Gjirit.

Mesazhi i tij ishte i njëjtë në çdo bisedë, tha diplomati: "Ne jemi gati të kundërpërgjigjemi, por gjetja e një zgjidhjeje diplomatike është mënyra më e mirë për të shmangur një përshkallëzim më të gjerë dhe shkatërrimin në të gjithë rajonin."

"Paralajmërimi iranian ishte i qartë: nëse Amerika do të shënjestronte infrastrukturën e Iranit, ata do të hakmerreshin duke goditur objektet energjetike të Gjirit dhe objektiva të tjera rajonale", tha një burim nga vendet e Gjirit për Reuters.

Fushata diplomatike nënvizon se si Irani po kërkon ta shndërrojë dobësinë e Gjirit në një levë, duke i përballur qeveritë rajonale me perspektivën se çdo konfrontim i rinovuar SHBA-Iran mund ta vendosë infrastrukturën që mbështet ekonomitë e tyre drejtpërdrejt në vijën e zjarrit.

"Arabia Saudite beson se një përshkallëzim i mëtejshëm do të sjellë vetëm më shumë shkatërrim," tha burimi i parë nga Gjiri. "Kjo është arsyeja pse ajo i kërkoi Trumpit t'i japë një shans diplomacisë."

Ndërsa i bënte thirrje Uashingtonit të ndiqte rrugën diplomatike, Riadi gjithashtu e bëri të qartë se do të mbrohej nëse do të kërcënohej. Burimi i dytë nga Gjiri tha se Arabia Saudite paralajmëroi se çdo sulm ndaj territorit të saj do të pasohej nga një përgjigje ushtarake. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos