Tërmeti rrafshon godinat në Turqi, një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Nga Rosalba Bejdo
11 Gusht 2025, 15:03 | Bota

Të paktën një person mbeti i vrarë si pasojë e tërmetit me magnitudë 6,1 të shkallës Rihter, në rajonin veriperëndimor të Ballikesir në Turqi.

Sipas ministrit të Brendshëm, Ali Yerlikaya, 29 persona të tjerë ishin plagosur dhe 16 godina ishin shembur. Lëkundja e dhunshme, e cila sipas autoriteteve për menaxhimin e katastrofave në Turqi, u regjustrua rreth orës 8 të mbrëmjes së të dielës, me epiqendër në qytezën e Sindirigi, u ndje deri 200 kilometra larg, në qytetin më të madh në vend, atë të Stambollit.

Siç bëhet e ditur, viktima ishte një grua 81-vjeçare, e cila kishte ndërruar jetë pasi ishte nxjerrë nga rrënojat prej ekipit të emergjencave. Të plagosurit kishin mbetur të bllokuar në rrënojat e godinave të shembura si pasojë e tërmetit. Megjithatë, sipas ministrit të Brendshëm, shumica e ndërtesave të shkatërruara ishin të braktisura dhe të papërdorura, çka ka bërë që bilanci të mos ishte më fatal.

Operacioni i kërkim-shpëtimit u deklarua i mbyllur teksa nuk ka më sinjale për viktima apo dëme të tjera. Si pasojë e lëkundjes ishin shembur gjithashtu edhe minaret e dy xhamive. 

Tërmeti u ndoq nga të paktën 20 paslëkundje të ndjera edhe në qytete të tilla si Izmiri, Kütahya, Yalova, Manisa, etj.

Agjencia për menaxhimin e emergjancave dhe katastrofave u bëri thirrje qytetarëve të mos hyjnë në godinat e dëmtuar teksa paslëkundjet vijojnë. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, përmes një deklarate i uroi shërim të shpejtë personave të prekur.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos