IDF vrau gabimisht tre pengje, protestuesit mbushin rrugët e Tel Avivit: Sillini në shtëpi, koha po u mbaron!

Nga Xhevahir Qardaku
16 Dhjetor 2023, 10:36 | Bota

Qindra njerëz kanë dalë në rrugët e Tel Avivit të premten mbrëma për të protestuar pasi ushtria pranoi se kishte vrarë aksidentalisht tre pengje në Rripin e Gazës.

Pamjet e transmetuara nga televizioni izraelit tregojnë turma të mëdha që mblidhen në qendër të Tel Avivit dhe bllokojnë një arterie qendrore qarkullimi.

Ata kërkuan që qeveria të ndërmarrë veprime për të siguruar lirimin e menjëhershëm të pengjeve të mbajtura nga Hamasi që nga nisja e konfliktit në tetor.

Me postera në duar në të cilët shfaqeshin emrat dhe fotografitë e pengjeve të tjerë, protestuesit marshuan drejt selisë së ushtrisë izraelite. Sipas raportimeve të mediave në vend, ata hodhën edhe bojë të kuqe në rrugë.

“Koha e tyre po mbaron! Sillni në shtëpi tani”, bërtitën protestuesit.

Turma kritikoi qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu se nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i liruar pengjet e rrëmbyera nga Hamasi dhe të mbajtur në Rripin e Gazës.

Kujtojmë se zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari njoftoi dje se tre pengje izraelitë u vranë aksidentalisht nga ushtarët gjatë një beteje me persona të armatosur të Hamasit në Rripin e Gazës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos