Çifti nga Tokio humb jetën i bllokuar në sauna pas shpërthimit të zjarrit

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2025, 07:11 | Bota

Çifti nga Tokio humb jetën i bllokuar në sauna pas

Një çift nga Tokio ka humbur jetën tragjikisht pasi mbeti i bllokuar brenda një dhome private saune që u përfshi nga flakët, në lagjen Akasaka. Ngjarja ndodhi të hënën, ndërsa autoritetet japoneze po hetojnë nëse një dorezë dere me defekt i ka penguar viktimat të dalin nga dhoma.

Sipas mediave lokale, viktimat janë Yoko Matsuda, 37 vjeçe, artiste thonjsh dhe bashkëshorti i saj Masanari Matsuda, 36 vjeç, pronar i një salloni bukurie. Zjarrfikësit u njoftuan rreth orës 12:25 me orën lokale, pasi u aktivizua alarmi i zjarrit në objekt. Kur mbërritën në vendngjarje, ata gjetën dorezën e derës së saunës të shkëputur dhe të rënë në dysheme.

Çifti u gjet i shtrirë pranë derës, njëri mbi tjetrin, dhe u transportua menjëherë në spital, por fatkeqësisht nuk arritën të mbijetojnë. Hetuesit dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një peshqir që ka prekur gurët e nxehtë të saunës.

Alarmi i emergjencës brenda dhomës rezultoi i fikur dhe, sipas stafit, kishte qenë jashtë funksionit që nga viti 2023. Sauna Tiger ka shprehur ngushëllimet për familjarët, ka pezulluar aktivitetin dhe po bashkëpunon me autoritetet për hetimin e plotë të ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos