Ministri i Jashtëm rus, Serghei Lavrov, reagoi nga Shkupi ndaj përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme Josep Borrell dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken, të cilët u larguan nga samiti i OSBE-së pa e takuar.
Diplomati rus i cilësoi dy zyrtarët e lartë të BE-së dhe SHBA-së si frikacakë, që nuk duan të përballen me faktet.
“Ata janë thjesht frikacakë, kanë frikë nga çdo bisedë e sinqertë me faktet në dorë”, tha Lavrov në një konferencë për shtyp.
Lavrov mori pjesë në samitin e OSBE-së në Shkup, ku mes të tjerash akuzoi organizatën se është kthyer në një vegël të Perëndimit. Ai mundi të udhëtojë drejt kryeqytetit maqedonas vetëm pas një leje të miratuar nga Bullgaria, për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj të pajustifikuar ndaj Ukrainës. (A2 Televizion)