Deputeti i Partisë Demokratike Xhelal Mziu dhe nipi i tij, Elson Mziu janë vënën nën akuzë për "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje". Sipas policisë, xhaxha e nip kanë dhunuar mesditën e së enjtes pas një takimi elektoral të zhvilluar nga Partia Demokratike në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte 33-vjeçarin Kalosh Murra. Incidenti ka ndodhur në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren.
Mësohet se 33-vjeçari është punonjës në këtë njësi administrative, përgjegjës në sektorin e ndarjes së ndihmës ekonomike. Vetë Kaloshi ka pohuar në polici se nuk ka dijeni përse ndodhi incidenti.
Ndërsa burime nga grupi hetimor bëjnë me dijë se kishin marrë informacione se disa qytetarë u kishin thënë përfaqësuesve të PD se nuk mund të dilnin në miting nga frika se mos i shihte ndokush dhe u hiqnin përkrahjen sociale.
Deputeti demokrat në një reagim në rrjetine tij social Facebook mohon përfshirjen në ndonjë incident, duke e cilësuar ngjarjen si një inskenim të organizuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste.
“Në takimin e Ostrenit, në mënyrë demonstrative, punonjësi i ndihmës ekonomike në Bashkinë Bulqizë po intimidonte pjesëmarrësit, ku një pjesë u larguan pas këtyre kërcënimeve dhe një pjesë tjetër shprehën shqetësimin për heqjen e ndihmës ekonomike. Në pak minuta para vendit ku u mbajt takimi i përfaqësuesve të opozitës, kanë mbërritur Jeton Dani babai i kandidatit të PS dhe mbështetës të tij dhe kanë ushtruar dhunë barbare ndaj kryetarit të Forumit të PD Bulqizë”, tha Mziu.
Mziu thotë se për këtë incident policia nuk mori asnjë masë, ndërsa i kërkon SPAK që të nisë hetimet dhe të marrë në dorëzim pamjet filmike. (A2 Televizion)