Vendimi i Presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa me 25% ndaj automjeteve të importuara, përfshirë ato nga Kanadaja, po sjell pasoja të rënda për industrinë amerikane të makinave. Një nga goditjet më të forta vjen nga Subaru, e cila po riorganizon zinxhirin e saj të furnizimit për shkak të përplasjeve tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë.
Në vitin 2024, Subaru shiti mbi 68,000 makina në Kanada, prej të cilave rreth 26% ishin të prodhuara në SHBA. Por nga viti 2026, kjo përqindje do të ulet në vetëm 10%. Ndryshimi do të prekë mijëra njësi dhe miliona dollarë në eksporte amerikane. Modeli Outback, i prodhuar në SHBA dhe shumë i popullarizuar në Kanada, nuk do të eksportohet më përtej kufirit, por do të vijë nga Japonia, shkruan A2 CNN.
Shefi i Subaru Canada, Tomohiro Kubota, tha se kjo lëvizje synon “të minimizojë ndikimin e kundërtarifave” që Kanadaja vendosi ndaj mallrave amerikane. Tarifat ndërsjella prishën ekuilibrin e marrëveshjeve tregtare që ekzistonin prej dekadash mes dy vendeve.
Subaru aktualisht prodhon Crosstrek dhe Forester në Japoni për tregun kanadez, dhe nuk është e qartë nëse prodhimi i ri i Forester në Indiana do të ndikojë në këtë strategji. Kompania nuk dha komente për këtë vendim.
Ndërkohë, prodhues të tjerë amerikanë po përballen me pasoja të ngjashme: Stellantis pushoi 900 punonjës, Honda zhvendosi prodhimin e Civic Hybrid në SHBA, dhe GM po rrit prodhimin e makinave luksoze “Made in USA”. (A2 Televizion)