PSG pëson humbjen e parë në Ligue 1, Nice trondit kampionët në "Parc des Princes"

Nga A2 CNN
25 Prill 2025, 22:56 | Futboll

PSG pëson humbjen e parë në Ligue 1, Nice trondit kampionët

Paris Saint-Germain u mposht për herë të parë këtë sezon në Ligue 1, pasi OGC Nice arriti një fitore të bujshme 3-1 në "Parc des Princes", duke shuar ëndrrën e kampionëve për një sezon të pamposhtur.

Edhe pse PSG e kishte siguruar titullin kampion, skuadra e Luis Enrique shpresonte të mbyllte sezonin pa humbje. Ndërkohë, Nice po lufton për një vend në UEFA Champions League. Parizienët dominuan në minutat e para, me Khvicha Kvaratskhelia që krijoi rrezikun më të madh, por tentativa e tij u ndal nga portieri Marcin Bułka.

Në minutën e 34-të, miqtë goditën në kundërsulm me një pasim të shkëlqyer të Bouanani për Morgan Sanson, i cili kaloi Donnarummën me një goditje të saktë. PSG reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 41-të, kur Dembélé asistoi për Fabián Ruiz, i cili shënoi me një goditje të bukur.

Por vetëm sekonda pas rifillimit, Sanson goditi sërish, këtë herë me një goditje akrobatike pas krosimit të Clauss, duke rikthyer avantazhin për Nice. PSG tentoi të rikthehej, por përpjekja e Zaïre-Emery u ndal nga mbrojtja mike.

Në minutën e 70-të, Bouanani asistoi sërish nga një goditje dënimi dhe Ndayishimiye shënoi me kokë golin e tretë. Kjo fitore e madhe e rikthen Nice përkohësisht në zonën e Ligës së Kampionëve, ndërsa PSG tani përqendrohet te gjysmëfinalja e UCL ndaj Arsenalit dhe finalja e Kupës së Francës me Reims. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos