
Irani ka njoftuar pezullimin e të gjitha bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që zhvilloheshin përmes ndërmjetësve, duke thelluar tensionet mes palëve dhe duke vënë në pikëpyetje përpjekjet për zgjatjen e armëpushimit dhe përfundimin e konfliktit në rajon.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), vendimi është marrë për shkak të asaj që Teherani e cilëson si “krime të vazhdueshme” të Izraelit në Liban dhe shkelje të armëpushimit.
“Duke qenë se Libani ishte një nga parakushtet kryesore të armëpushimit dhe ky armëpushim tashmë është shkelur në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, ekipi negociator iranian po pezullon dialogun dhe shkëmbimin e dokumenteve përmes ndërmjetësve”, thuhet në raportimin e Tasnim.
Më herët gjatë ditës, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se çdo shkelje e armëpushimit në një front konsiderohet shkelje e marrëveshjes në tërësi.
“Armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit është pa asnjë dyshim një armëpushim në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Shkelja e tij në një front është shkelje e armëpushimit në të gjitha frontet. SHBA-ja dhe Izraeli mbajnë përgjegjësi për pasojat e çdo shkeljeje”, shkroi Araghchi në rrjetin social X. (A2 Televizion)