Irani gati me “gishtin në këmbëz”. Lufta i kushtoi 29 miliardë SHBA-së, Trump flet për pluhur bërthamor

Nga Xhevahir Qardaku
12 Maj 2026, 18:36 | Bota

Presidenti amerikan, Donald Trump shprehu bindjen se Irani do të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe do të braktisë çdo përpjekje për të ndërtuar një armë bërthamore, edhe pse negociatat mes palëve janë të bllokuara.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se ka qenë i angazhuar drejtpërdrejt me zyrtarët iranianë gjatë bisedimeve. “Unë merrem me ta”, tha Trump për një media amerikane. “Dhe ata thanë se do ta marrim pluhurin. Unë e quaj pluhur bërthamor sepse është i përshtatshëm. Dhe ne do ta marrim atë”, shtoi më tej presidenti, shkruan A2.

Ai tha gjithashtu se SHBA-të nuk kanë nevojë të lëvizin shpejt drejt një marrëveshjeje. “Nuk do të nxitohemi për asgjë, kemi një bllokadë”, tha Trump. Komentet vijnë një ditë pasi presidenti konfirmoi se armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit është në “fije të perit” pas kundërpropozimit të fundit të Teheranit, të cilin ai e përshkroi si “thjesht të papranueshëm”.

Sekretari i Luftës u thirr në Kongres për të dhënë llogari, ndërsa u konfirmua fatura e majme prej 29 miliardë dollarësh për 6 javë përballje ushtarake me Iranin. Pete Hegseth u pyet nëse Pentagoni ka një plan B për luftën dhe u përgjigj kështu: “Ne kemi një plan për gjithçka. Kemi një plan për të përshkallëzuar situatën nëse është e nevojshme. Kemi një plan për t’u tërhequr nëse është e nevojshme. Kemi një plan për të zhvendosur asetet. Sigurisht, në këtë situatë nuk do të zbulonim se cili mund të jetë hapi i ardhshëm, duke marrë parasysh rëndësinë e misionit që presidenti po ndërmerr për të siguruar që Irani të mos ketë kurrë një bombë bërthamore”.

Ndërkohë, Irani bëhet gati për luftë dhe e ka “gishtin në këmbëz”. Këtë e konfirmoi një zëdhënëse e qeverisë së Teheranit. “Garda Revolucionare dhe forcat Basij, kryen një stërvitje ushtarake pesë-ditore në Teheran, me emrin e koduar Udhëheqësi Martir Imam Khamenei”, konfirmoi një komandant i ushtrisë në Teheran.

“Stërvitjet ushtarake, të cilat u zhvilluan me sukses, kishin për qëllim përgatitjen dhe forcimin e aftësive luftarake të forcave për t'iu kundërvënë çdo lëvizjeje nga armiku sionist-amerikan”, shtoi ai, sipas agjencisë së lajmeve Fars. Sakaq bëhet e ditur se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi një takim me ekipin e tij të sigurisë kombëtare dhe zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë për të diskutuar strategjitë e ardhshme për konfliktin me Iranin, përfshirë mundësinë e rifillimit të veprimeve ushtarake, raporton CNN.

Burimet për reuters bëjnë me dije se një bombardues strategjik B-1B Lancer i Forcave Ajrore Amerikane ka kryer një fluturim operativ drejt Lindjes së Mesme. CENTCOM shpjegoi se misioni stërvitor u zhvillua më 9 maj, por nuk tregoi se nga cila bazë u nis avioni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos