Irani kërcënon të shkatërrojë rajonin. Luftë për Hormuzin, Trump flet me Starmer dhe shkon në Izrael

Nga Xhevahir Qardaku
23 Mars 2026, 10:23 | Bota

Irani kërcënon Lindjen e Mesme me shkatërrim. Garda Revolucionare ka paralajmëruar edhe një herë me hakmarrje të ashpra nëse objektet e tyre energjetike bombardohen.

Reagimi i tyre vjen pas ultimatumit të presidentit amerikan, Donald Trump, se kanë 48 orë kohë për të rihapur Hormuzin, ose në të kundërt do të sulmohen impiantet bërthamore.

Këshilli i Mbrojtjes i Iranit ka kërcënuar të vendosë mina për të bllokuar të gjithë Gjirin Persik nëse sulmohen brigjet ose ishujt e Iranit, raportuan mediat shtetërore. “E vetmja mënyrë për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit për vendet jo-ndërluftuese është koordinimi me Iranin”, thuhet në deklaratën e organit të sigurisë të nivelit të lartë, sipas agjencisë gjysmëzyrtare Fars News.

Lufta në Lindjen e Mesme mund ta çojë botën drejt përballjes me “krizën më të keqe energjetike në dekada”, tha Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, duke e quajtur situatën “shumë serioze”.

Lidhur me këtë situatë serioze, Kryeministri britanik Keir Starmer dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump folën në telefon, shkruan A2.

Një zëdhënës i Downing Street tha: "Të dy udhëheqësit diskutuan situatën aktuale në Lindjen e Mesme dhe, në veçanti, nevojën për të rihapur Ngushticën e Hormuzit për të rinisur trafikun global detar. Ata ranë dakord që rihapja e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për të siguruar stabilitetin e tregut global të energjisë”.

Ndërkohë, Presidenti amerikan do të vizitojë Izraelin në prill. Vetë Trump e deklaroi këtë në një bisedë ekskluzive me median izraelite Channel 14. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos