Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u ka bërë thirrje fuqive evropiane t’i ndalin kërcënimet ndaj Teheranit, përfshirë paralajmërimet për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së.
Diplomati kryesor i Teheranit shkroi të premten në X se u tha homologëve të vet nga Britania, Franca, Gjermania, si dhe shefes së politikës së jashtme të BE-së, gjatë një bisede të përbashkët telefonike se Evropa “duhet të veprojë me përgjegjësi” dhe të heqë dorë nga “politikat e shteruara kërcënuese dhe të trysnisë”.
Ai tha se BE-ja dhe grupi evropian i quajtur E3 nuk kanë “asnjë bazë morale apo ligjore” për të aktivizuar “rikthimin e menjëhershëm” të sanksioneve të OKB-së kundër Iranit.
Ditë më parë, ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, u tha ministrave të tjerë të BE-së se E3-ja është e gatshme t’i rivendosë sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, nëse Teherani nuk shpreh “angazhim të fortë, të dukshëm dhe të qartë”.
Evropianët përsëritën të njëjtin qëndrim gjatë bisedës me Araqchin, sipas një burimi diplomatik francez të cituar nga Reuters, i cili tha se Irani nuk u përball me trysni për të arritur një marrëveshje “të verifikueshme dhe të qëndrueshme” me Shtetet e Bashkuara.
Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 - Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) - kufizimet e afatgjatë të OKB-së ndaj shitjes së armëve, ndaj bankave dhe teknologjisë bërthamore, u hoqën 10 vjet më parë.
Qeveritë evropiane mund ta përdorin akoma mekanizmin e marrëveshjes për “rikthimin e menjëhershëm” të sanksioneve para afatit të 15 tetorit.
Irani pezulloi bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i bombarduan objektet e tij bërthamore muajin e kaluar.
Evropianët po ushtrojnë trysni për të rikthyer punën e inspektorëve bërthamorë të OKB-së në Iran, duke synuar ta parandalojnë Teheranin nga riorganizimi i programit të tij bërthamor pas dëmeve të shkaktuara nga sulmet.
Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Kina dhe Rusia - mbështetës të kamotshëm të Iranit në këto negociata - nuk mund të vënë veto për rikthimin e sanksioneve.
Megjithëse dritarja formale për aktivizimin e mekanizmit mbyllet në tetor, qeveritë evropiane mund të zgjedhin ta shtyjnë këtë hap pas këtij afati për të mbajtur derën hapur për bisedime të mëtejshme.
Negociatorët iranianë dhe amerikanë ishin planifikuar të takoheshin në Oslo javën e kaluar, por takimi u shty, dhe duket se nuk është caktuar një datë e re.
“Çdo rund i ri bisedimesh është i mundur vetëm kur pala tjetër është e gatshme për një marrëveshje të drejtë, të balancuar dhe të dobishme bërthamore për të dyja palët”, shkroi Araqchi në X.
Gjatë një konference për shtyp këtë javë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ndërsa Irani dëshiron të angazhohet në bisedime, ai nuk është “për ngut” për t’u takuar, duke theksuar se “ne i shkatërruam objektet e tyre” në sulmet e 22 qershorit mbi objektet bërthamore në Fordo, Isfahan dhe Natanz./ REL (A2 Televizion)