
Një 29-vjeçar me inicialet A. Gj. është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden.
Ndaj tij ishte caktuar masa arrest me burg për disa vepra penale, mes të cilave edhe Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje.
NJOFTIMI
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit “The Wanted”.
Në vijim të bashkëpunimit me homologët, nga specialistët e Interpol Tiranës u krye ekstradimi nga Frankfurti, Gjermani, drejt vendit tonë, i shtetasit A. Gj., 29 vjeç, lindur dhe banues në Mat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në maj të vitit 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
(A2 Televizion)