Funerali po zhvillohet në Teheran, por ai do të prehet në Doha të Katarit. Lumtumira e fundit për liderin e vrarë të Hamasit, Ismail Haniyeh, pritet të zgjasë disa ditë. Në kryeqytetin e Iranit, me mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e Teheranit për të mbajtur zi gjatë një procesioni funerali simbolik. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, udhëhoqi lutjet para varrosjes së liderit të Hamasit në Katar.
Mediat amerikane kanë cituar zyrtarët iranianë të kenë thënë se lideri suprem ka urdhëruar një sulm të drejtpërdrejtë kundër Izraelit, shtet të cilin e mban përgjegjës për sulmin në Teheran. Sipas asaj që raportohet, Irani ka mbyllur hapësirën ajrore, një lëvizje që konsiderohet se po ndërmerret përpara një sulmi të mundshëm.
Teherani ka kërkuar madje që Katari dhe Arabia Saudite të mos lejojë përdorimin e hapësirës së tyre ajrore nga shteti hebre dhe Amerika. Izraeli nuk e ka komentuar drejtpërdrejt vrasjen, por kryeministri Benjamin Netanjahu u zotua të vijonte me gjuetinë e liderëve të Hamasit.
“Qytetarë të Izraelit, ditë sfiduese na presin. Që nga goditja në Bejrut ka kërcënime nga të gjitha drejtimet. Ne jemi të përgatitur për çdo skenar dhe do të qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur kundër çdo kërcënimi. Izraeli do t’i bëjë të paguajnë një çmim shumë të rëndë për çdo agresion kundër nesh nga çdo zonë”, tha Netanjahu.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi kundër një "përshkallëzimi të rrezikshëm" të armiqësive në rajon. Krahu i armatosur i Hamasit tha se vdekja e Haniyeh, e cila shihej gjerësisht si udhëheqësi i përgjithshëm i grupit, do ta "çonte betejën në dimensione të reja" dhe do të kishte pasoja të mëdha.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka ndërhyrë duke u bërë thirrje të gjitha palëve në Lindjen e Mesme që të ndalojnë veprimet që shtojnë dhe më tej tensionet. (A2 Televizion)