Irani në OKB: Është e drejta jonë t'i përgjigjemi sulmeve të Izraelit. Këshilli i Sigurimit mblidhet të hënën

Nga A2 CNN
27 Tetor 2024, 08:22 | Bota

Irani në OKB: Është e drejta jonë t'i përgjigjemi

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të hënën pas sulmeve hakmarrëse të Izraelit në Iran. Irani kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, duke pretenduar se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar me sulmet e drejtpërdrejta kundër tij të shtunën, shkruan A2.

Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit, misioni i përhershëm i Iranit në OKB tha se veprimet e Izraelit "përbëjnë një shkelje serioze të sovranitetit dhe integritetit territorial të Iranit dhe janë një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara", raporton A2.

Ambasadori iranian në OKB Saeed Iravani, në letrwn drejtuar shefit të OKB-së Antonio Guterres dhe presidencës së Këshillit të Sigurimit të shtunën në mbrëmje, i bëri thirrje organit ndërkombëtar që të lëshojë një deklaratë të fortë për shtyp duke dënuar sulmin e grupit separatist Jaish al-Adl në Taftan, në provincën juglindore të Sistan-Baluchistan, të shtunën, e cila shkaktoi vrasjen e dhjetë policëve kufitarë.

"Irani dënon aktin e urryer të terrorizmit në termat më të fortë dhe ripohon vendosmërinë e tij për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë, duke siguruar që ata të përballen me përgjegjësinë e plotë për krimet e tyre," shtoi ai, cituar nga IRNA.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe presidencës së Këshillit të Sigurimit, bën thirrje për dënimin e sulmeve izraelite ndaj Iranit, transmeton A2.

“Teherani rezervon të drejtën për t'iu përgjigjur ligjërisht dhe legjitimisht agresionit izraelit,” paralajmëron ai. “Si pasojë e agresionit të vazhdueshëm dhe sistematik të regjimit izraelit, Irani i kërkon OKB-së që të marrë një qëndrim të vendosur dhe të dënojë regjimin fuqishëm dhe pa mëdyshje, duke i treguar komunitetit ndërkombëtar se shkelje të tilla të rënda nuk do të mbeten pa përgjigje”.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon tha se kërkesa e Iranit ishte "një tjetër përpjekje e Iranit për të na dëmtuar, këtë herë në arenën politike", duke u zotuar të "mbrohet për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten".

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos