Izraeli arreston studentin palestinez që ishte nisur për studime në Romë: I përfshirë në sulmet e 7 tetorit

Nga A2 CNN
4 Qershor 2026, 07:28 | Bota

Izraeli arreston studentin palestinez që ishte nisur për studime

Forcat izraelite kanë arrestuar palestinezin Mahmoud Al Najjar në pikën kufitare Kerem Shalom, teksa ai po përgatitej të largohej nga Gaza drejt Italisë për të ndjekur studimet në Universitetin e Tor Vergatës në Romë.

Sipas ushtrisë izraelite (IDF), Al Najjar është një “anëtar operativ” i Brigadës Veriore të Hamasit dhe dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit. Arrestimi u bë publik nga zëdhënësja e ushtrisë izraelite, Ariella Mazor.

Studenti ishte pjesë e një grupi prej 18 të rinjsh palestinezë që kishin marrë leje për të udhëtuar drejt Italisë për studime universitare. Sipas mediave palestineze, ai kishte pritur prej muajsh autorizimin për t’u larguar nga Rripi i Gazës.

Raportohet se Al Najjar, inxhinier me origjinë nga Jabalia, ka botuar disa artikuj akademikë dhe pas arrestimit është dërguar në një vend të panjohur. Familjarët e tij pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë informacion mbi vendndodhjen apo gjendjen e tij.

Sipas burimeve izraelite, identifikimi i tij mund të jetë bërë përmes teknologjisë së njohjes së fytyrës, e cila përdoret për të gjurmuar personat e dyshuar të përfshirë në sulmet e Hamasit. Autoritetet izraelite pohojnë se ai ishte në listën e personave të kërkuar për lidhje me ngjarjet e 7 tetorit.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos