Sulmet e intensifikuara të Ukrainës ndaj objektivave brenda territorit rus i japin Kievit mundësinë të negociojë përfundimin e luftës në kushte të barabarta. Kështu tha të mërkurën Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Duke folur para gazetarëve në Kiev, krah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Zelenskyy shtoi se është vetëm çështje kohe para se Ukraina të rrisë edhe më tej shkallën e këtyre goditjeve ndaj objektivave në Rusi.
Volodymyr Zelenskyy shprehet: “Zoti qoftë i lavdëruar, falë forcave tona të armatosura, fuqia jonë po ndihet sot në fushën e betejës. Kemi bërë përparim të rëndësishëm në goditjet e thella. Sot kemi arritur një objektiv në 1,100 kilometra largësi, dhe ky nuk është një rast i izoluar, është një objektiv specifik dhe një rezultat konkret. Dhe mendoj, falë Zotit, se sot kemi garanci të tilla sigurie që na lejojnë ta përfundojmë këtë luftë në kushte të barabarta me rusët, në çdo format diplomatik. Ata duhet ta dinë se nëse përdorin dronë dhe raketa kundër nesh, ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Dhe është vetëm çështje kohe para se të mund të rrisim shkallën e përgjigjeve tona. Besoj se edhe rusët kanë nevojë që Ukraina të jetë në NATO. Sepse në të ardhmen, mund të jetë e dhimbshme (për Rusinë) nëse Ukraina nuk është në NATO”. (A2 Televizion)