
Partia Demokratike kërkon ndalimin e ekspozimit të simboleve komuniste dhe të nderimit publik të diktatorit Enver Hoxha dhe figurave përgjegjëse për krimet e regjimit komunist në hapësirat publike të kryeqytetit.
Kërkesa është paraqitur nga këshilltarja bashkiake e PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, e cila i është drejtuar zyrtarisht kryetares së Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar marrjen e masave konkrete për të ndaluar aktivitete dhe ekspozime të kësaj natyre.
Në kërkesën e saj, Zhulali ngre shqetësimin për ekspozimin e simboleve të regjimit komunist, banerave me mbishkrime lavdëruese për Enver Hoxhën dhe portreteve të drejtuesve të regjimit, në qendër të Tiranës, më 17 nëntor 2026.
Sipas saj, lartësimi publik i diktatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij përbën fyerje për mijëra viktimat e komunizmit dhe familjet e tyre.
Në argumentimin e saj, këshilltarja përmend bilancin e viktimave të diktaturës, duke iu referuar 6.027 personave të ekzekutuar, 34.135 të burgosurve politikë, mbi 59 mijë të internuarve, 7.022 personave që humbën jetën në internim, 984 të vdekurve në burgje dhe rreth 6 mijë personave të zhdukur. (A2 Televizion)