Forcat izraelite bombarduan gjatë natës Spitalin Al Ali, i njohur si Spitali Baptist, në qytetin verior të Gazës, ndërsa mjekët nxituan për të evakuuar të sëmurët dhe të plagosurit pas urdhrave të dhëna mbrëmë.
Sulmi vjen pasi ushtria izraelite lëshoi urdhra të reja evakuimi dje në mbrëmje për banorët e kampit të refugjatëve Nuseirat në qendër të qytetit dhe Khan Younis në jug, pasi kapi tri raketa që vinin nga Rripi.
Sipas Al Jazeera-s, spitali pësoi dëmtime serioze, duke përfshirë dhomën e urgjencës. Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë shpërthime të dhunshme dhe skenën që pasoi: tenda të djegura, rrënoja dhe barela të braktisura.
Vetëm disa javë më parë, ushtria izraelite shënjestroi spitalin në Khan Younis. Më parë, ajo kishte shkatërruar kompleksin mjekësor Al Shifa, kishte nxjerrë jashtë funksionit edhe Spitalin Kamal Adëan, si edhe kishte sulmuar disa herë spitalin indonezian në veri, përcjell A2 CNN.
“Ne jemi dëshmitarë të një sulmi nga forcat izraelite ndaj një sektori mjekësor që po përpiqet të vazhdojë të ofrojë nivelin minimal të shërbimeve për shkak të bllokadës totale humanitare të vendosur nga Izraeli që nga 2 marsi dhe sulmeve shkatërruese të 18 marsit”, denoncuan punonjësit e shëndetësisë për transmetuesin e Katarit.
Qeveria palestineze në Rripin e Gazës dënoi sulmin ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në qytetin e Gazës më herët sot, duke thënë se "avionët luftarakë shënjestruan spitalin, duke e bombarduar atë me raketa të shumta", raporton Anadolu.
Zyra e shtypit e Gazës e quajti veprimin "një tjetër krim të tmerrshëm", duke thënë se spitali, i vetmi që kishte mbetur duke funksionuar me kapacitet të plotë në Gaza, po priste qindra pacientë, të plagosur dhe staf mjekësor. Qeveria e Gazës e udhëhequr nga Hamas tha në një deklaratë se ajo mbante "Izraelin, Shtetet e Bashkuara, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Francën, përgjegjëse për sulmin".
Gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, organeve të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave humanitare që të denoncojnë sulmin dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme "për t'i dhënë fund dhunës dhe për të mbrojtur objektet shëndetësore". (A2 Televizion)