Izraeli ndalon mjekët me origjinë palestineze të hyjnë në Gaza

Nga A2 CNN
24 Korrik 2024, 10:53 | Bota

Izraeli ndalon mjekët me origjinë palestineze të hyjnë

Mjeku palestinezo-amerikan, Jiab Suleiman, mbërriti në Jordani, muajin e kaluar, për të qenë pjesë e një misioni mjekësor në Gaza. Kirurgui lindur në Ohajo kishte drejtuar dy operacione shpëtimi në Gaza që kur shpërtheu lufta Izrael-Hamas në tetor dhe po finalizonte detajet për të tretin. Por përgatitja e tij do të ishte e kotë, pasi një ditë përpara se skuadra e tij do të kalonte në Gaza, Suleiman mori njoftimin se i ishte mohuar hyrja nga agjencia izraelite që menaxhon politikën për territoret palestineze dhe rrjedhën e ndihmave në Gaza.

E gjitha kjo është pjesë e një politike të komunikuar kohët e fundit për misionet mjekësore që shkojnë në Gaza përmes Izraelit. Kufizimet bllokojnë hyrjen e punonjësve të kujdesit shëndetësor nga SHBA-ja ose kombësive të tjera, nëse ata janë me origjinë palestineze.

Sipas CNN, mjekë nga disa organizata të ndihmës mjekësore, thonë se politika i ka detyruar ata të shmangin rekrutimin e ndonjë punonjësi mjekësor me origjinë palestineze. Refuzimet shpesh vijnë në minutën e fundit, duke mos i lënë grupeve kohë për të mbushur vendet bosh dhe duke i detyruar ata të hyjnë në Gaza me një staf jo të plotë.

Memorandumet e brendshme të OBSH-së nga fillimi i qershorit, përshkruajnë politikën e re të Izraelit, në të cilën grupet e ndihmës këshilloheshin të mos sjellin profesionistë mjekësorë me prejardhje palestineze me prindër ose gjyshër të lindur në Palestinë.

Që nga mbyllja e kalimit në Rafah, Izraeli ka kufizuar më tej hyrjen e furnizimeve mjekësore dhe ka kufizuar numrin e personave të plagosur rëndë që mund të largohen nga Gaza. Në mars, një hetim i CNN i bazuar në intervista me qeveritarë dhe dokumente të përpiluara nga grupet e ndihmës, zbuloi sende të refuzuara shpesh nga Izraeli: anestetikë, ilaçe për trajtimin e kancerit dhe komplete materniteti.

Për mjekët palestinezë që shpresojnë të ofrojnë ndihmë për popullin e tyre, vendimi i Izraelit për t'iu ndaluar hyrjen në Gaza i ka dëshpëruar. "Unë nuk i kuptoj këta njerëz, se si vendosin t'ia bëjnë këtë dikujt që po hyn për dy javë për të ndihmuar njerëzit. Nuk është e drejtë të mohohesh vetëm për shkak të vendit ku ke lindur dhe të trajtohesh ndryshe nga qytetarët e tjerë amerikanë”, tha Jiab Suleiman, mjeku me origjinë palestineze.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos