Forcat izraelite kanë rikuperuar trupat e dy shtetasve izraelito-amerikanë, Judi Weinstein Haggai dhe bashkëshortit të saj Gadi Haggai, të cilët u morën peng dhe u vranë gjatë sulmit të përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor 2023 në Kibbutzin Nir Oz.
Sipas ushtrisë izraelite, çifti u vra nga militantë të grupit Brigadat e Muxhahedinëve gjatë masakrës në atë ditë tragjike.
Trupat e tyre u gjetën gjatë një operacioni të fundit në Khan Yunis në jug të Rripit të Gazës dhe u sollën në Izrael për identifikim mjeko-ligjor. Lajmi u konfirmua nga autoritetet ushtarake izraelite dhe është pritur me një përzierje dhimbjeje dhe lehtësimi nga familjet e viktimave.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu ngushëllimet e tij duke thënë: “Zemrat tona pikëllohen për këtë humbje të tmerrshme. Kujtimi i tyre qoftë i bekuar.” Ai falënderoi gjithashtu forcat izraelite për operacionin e suksesshëm dhe përsëriti zotimin për të kthyer në shtëpi të gjithë pengjet, qofshin ata të gjallë apo të vdekur.
Familjarët e çiftit deklaruan se ata kishin dalë për një shëtitje atë mëngjes të së shtunës dhe nuk u kthyen më. “Ne e mirëpresim mbylljen dhe kthimin e tyre për një varrim të denjë në atdhe,” u shprehën ata. (A2 Televizion)