Janë Krishtlindje të dhimbshme dhe të mbushura me gjakderdhje, këto të shënuara në Lindjen e Mesme.
Dritat dhe festat në Jerusalem dhe Gaza i lanë vend heshtjes dhe lutjeve, të cilat shpesh u trazuan nga zhurma e rëndë e shpërthimeve dhe raketave.
Ministria e shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi thotë se një sulm ajror izraelit vrau të paktën 70 njerëz në kampin e refugjatëve Al-Maghazi në qendër të rripit. Mes tyre ishin dhe 12 fëmijë. Një zëdhënës tha se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet duke pasur parasysh numrin e madh të familjeve që jetojnë në zonë. Kjo vjen pasi mediat izraelite dhe arabe thonë se Egjipti, i cili kufizohet me Rripin e Gazës, ka paraqitur një propozim të ri për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit. Ndërkohë, ushtria e Tel Avivit ka bombarduar disa shënjestra të Hezbollahut në Liban. Situata humanitare sa vjen e përkeqësohet.
Agjencia e OKB-së për refugjatët vlerëson se janë mbi 50 mijë gra shtatzëna në Rripin e Gazës, mes të cilave 180 lindin çdo ditë në kushte ekstreme sanitare. Sakaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon se nuk ka më asnjë spital funksional në veri të enklavës palestineze. (A2 Televizion)