![]()
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, deklaroi të premten se 13 pjesëtarë të forcave shtetërore të sigurisë u vranë si pasojë e një sulmi ajror izraelit ndaj një godine qeveritare në qytetin jugor Nabatieh.
Në një deklaratë zyrtare, Aoun dënoi vazhdimin e sulmeve nga Izraeli, duke i cilësuar ato si shkelje të sovranitetit të Libanit dhe të së drejtës ndërkombëtare. Ai theksoi se goditja e institucioneve shtetërore përbën një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në rajon.
Presidenti libanez u shpreh se sulmet ndaj objekteve qeveritare dhe forcave të sigurisë nuk do ta pengojnë vendin e tij të mbrojë territorin dhe sovranitetin kombëtar. Ai shtoi se Libani mbetet i vendosur për të ruajtur stabilitetin e brendshëm dhe për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi të jashtëm.
Ngjarja pritet të rrisë më tej tensionet në jug të vendit, një zonë që prej kohësh është përballur me përplasje dhe incidente të shpeshta mes forcave izraelite dhe grupeve të armatosura në territorin libanez. (A2 Televizion)