
Një përleshje me armë ka ndodhur në qendër të qytetit të Trentos, në Itali, ku ka mbetur i plagosur një person.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 09:15, kur katër persona janë përfshirë fillimisht në një konflikt fizik. Sipas mediave italiane, dy prej tyre ndodheshin në një bar duke pirë kafe, ndërsa dy të tjerët iu janë afruar në këmbë nga zona e Piazza Fiera.
Konflikti ka degjeneruar në dhunë, ku janë dëgjuar edhe të shtëna me armë. Dyshohet se është përdorur një pistoletë manovër, e cila mund të jetë përdorur edhe për goditje fizike.
Si pasojë e përplasjes, një person ka mbetur i plagosur në shpatull dhe është dërguar për ndihmë mjekësore.
Autoritetet kanë bërë të mundur ndalimin e të katër personave të përfshirë në konflikt. Fillimisht u dyshua për një tentativë grabitjeje, por hetimet paraprake tregojnë se bëhet fjalë për një përplasje mes dy shtetasve shqiptarë dhe dy personave me origjinë nga Afrika e Veriut. (A2 Televizion)