Ukraina depërton 3 mijë km në Rusi, Zelenski i shpëton sulmit me dron, Trump: Putin do marrëveshje

Nga Rosalba Bejdo
10 Shtator 2026, 18:25 | Bota
 

Ukraina ndërmori sulmin më të thellë deri më tani brenda territorit të Rusisë, duke goditur dy impiante të përpunimit të gazit në zonën arktike, më shumë se 3,000 kilometra larg kufirit ukrainas. Sulmi tregon se Ukraina ka zhvilluar më tej kapacitetet e saj ushtarake, ndërsa me Rusinë vazhdon në vitin e saj të pestë.

Video të pakonfirmuara që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë re të mëdha me tym të dendur e të zi, si dhe flakë pranë impiantit të Novy Urengoy, në Siberinë perëndimore. Pamjet janë filmuar nga një distancë.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e cilësoi sulmin me rreze të gjatë si tërësisht të justifikuar në rrjetet sociale. Ai vjen pak ditë pasi të dërguarit e posaçëm të SHBA-së, Stiv Witkoff dhe Jared Kushner, vizituan Moskën dhe Kievin me propozime të reja për t’i dhënë fund luftës, por detajet specifike nuk janë bërë publike.

Pas telefonatës me Putinin, presidenti Donald Trump tha se shefi i Kremlinit ishte i interesuar për një marrëveshje me Ukrainën.

“Patëm një bisedë të mrekullueshme. Ai kërkon të arrijë një marrëveshje. Dhe nëse edhe Zelenski e dëshiron diçka të tillë, kjo do të ishte diçka shumë e mirë.”

Por, teksa SHBA kërkon ta kthejë konfliktin drejt diplomacisë, zhvillimet në terren sugjerojnë diçka krejt tjetër.

Tronditës ishte zbulimi i kryeministrit norvegjez se avioni i Zelenskit për pak sa nuk ishte goditur nga një dron, ndërsa bëhej gati të nisej nga Moldavia në drejtim të Norvegjisë. Një zyrtar ukrainas e konfirmoi këtë, duke thënë se bëhej fjalë për një dron rus të tipit Shahed, të pajisur me motor reaktiv.

Zelenski po udhëtonte drejt Norvegjisë për funeralin e mbretit Harald. Autoritetet moldave ndërprenë përkohësisht operacionet në aeroportin e Kishinaut, pasi droni hyri në hapësirën ajrore të vendit. Sipas tyre, droni kishte ardhur nga drejtimi i Ukrainës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos