Jimmy Kimmel nuk i mban dot lotët pas rikthimit në ekran

Nga A2 CNN
24 Shtator 2025, 10:36 | Bota

Pas gati një jave pezullimi, Jimmy Kimmel u rikthye të martën në emisionin e tij, duke u shprehur me emocion për humbjen tragjike të aktivistit konservator Charlie Kirk. Gjatë monologut të tij, Kimmel vlerësoi bashkëshorten e Kirk dhe theksoi se nuk dëshironte “të bënte shaka me vrasjen e një të riu”.

Komediani, i cili shpesh është në qendër të debatit për qëndrimet e tij politike dhe thumbat ndaj administratës amerikane, e pati të vështirë të mbante emocionet gjatë fjalës së tij, shkruan A2 CNN. Ai kritikoi hapur qëndrimin e presidentit Donald Trump ndaj tij dhe drejtuesve të tjerë të emisioneve të mbrëmjes, duke e quajtur këtë sjellje “jo amerikane” dhe një tregues se presidenti “nuk është i aftë të pranojë një shaka”.

Para transmetimit të emisionit, presidenti Trump reagoi në rrjetet sociale duke thënë se “nuk mund ta besonte” që televizioni ABC i kishte rikthyer programin Kimmel-it, duke lënë gjithashtu të kuptohet për masa të tjera të mundshme kundër tij.

Megjithatë, vendimi i kompanisë Walt Disney, pronare e ABC, për ta rikthyer Kimmel-in në ekran më 22 shtator, u pa si një akt sfidues ndaj presioneve politike. Disney i dha fund përkohësisht pezullimit të tij, ndërsa disa rrjete të tjera televizive që transmetojnë programin në SHBA, përfshirë Nexstar Media dhe Sinclair, njoftuan se do të vazhdojnë të zëvendësojnë hapësirën kohore të Kimmel-it me programe alternative, duke ndikuar kështu mbi rreth 23% të familjeve amerikane.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur marrëdhënia mes administratës Trump dhe mediave është përkeqësuar ndjeshëm, me akuza të ndërsjella dhe kërcënime për padi apo masa rregullatore. Rikthimi i Kimmel-it shënon jo vetëm një moment të rëndësishëm për televizionin amerikan, por edhe një provë të ndikimit të politikës mbi industrinë e argëtimit dhe lirinë e shprehjes në SHBA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos