Joe Biden largohet nga gara presidenciale, Harris merr stafetën

Nga Erjon Dervishi
21 Korrik 2024, 23:08 | Bota

Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar largimin e tij nga gara elektorale për zgjedhjet presidenciale për Shtëpinë e Bardhë. Vendimi i Joe Biden pason javë të tëra presioni intensiv nga kolegët demokratë pas një debati tepër të dobët ndaj republikanit Donald Trump në fund të qershorit.

Pas njoftimit për largimin nga gara elektorale, Presidenti Biden i dha miratimin e tij në garën presidenciale Zëvendës Presidentes Kamala Harris. Në një letër të postuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale, ai tha se ka qenë nderi më i madh i jetës së tij të shërbejë si President: “Dhe ndërsa ka qenë qëllimi im të kërkoj rizgjedhjen, besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të fokusohem vetëm në përmbushjen e detyrave si President për pjesën e mbetur të mandatit tim”.

Duket se infektimi me COVID-19 ka qenë shtyra kryesore për këtë vendim të papritur dhe të Joe Biden. 

Ndërkohë, Donald Trump ka reaguar pas vendimit të Joe Biden për t’u tërhequr nga gara presidenciale. Kandidati republikan për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një telefonatë me CNN disa minuta pas njoftimit të bujshëm për t’u tërhequr, u shpreh se Biden “do të kujtohet nga historia si Presidenti më i keq që ka pasur ky vend”. 

Thirrjet që Biden të tërhiqej nga gara filluan të rriteshin pas një debati katastrofik në fund të qershorit kundër Donald Trump. Gjatë debatit ai u kritikua se shpesh ishte jokoherent dhe fliste me një zë të dobët.

Presidenti Joe Biden duhet të japë dorëheqjen "menjëherë", deklaroi lideri republikan dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson.

"Nëse Joe Biden nuk është i përshtatshëm për të kandiduar për president, ai nuk është i përshtatshëm për të qenë president. Ai duhet të japë dorëheqjen menjëherë”, shkroi kryetari i Dhomës në X.

Sakaq, problematike do të jetë edhe donacionet të cilat janë grumbulluar për Joe Biden. Sipas mediave ndërkombëtare, pritet të ketë një rivalitet të madh brenda kampit demorkat për ndarjen e donacioneve për fushatën elektorale. 

Ka shumë pasiguri rreth asaj që do të ndodhë më pas duke pasur parasysh largimin e Biden, por një konsorcium ekspertësh dhe akademikësh zgjedhor argumenton se procesi politik i SHBA-së është i paprekur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos