Udhëheqësi i Hamasit, Yahya Sinwar është nën presion të vazhdueshëm nga komandantët e tij ushtarak për të pranuar një marrëveshje armëpushimi me Izralin. Ky fakt është vënë në dukje nga drejtori i CIA-a, William Burns, i cili ka qenë i pranishëm në një konferencë me dyer të mbyllura, citon CNN.
Sinwar, arkitekti kryesor i masakrës së 7 tetorit në Izrael, nuk është "i shqetësuar për vdekjen e tij", por po përballet me presionin për fajësimin për vuajtjet e mëdha në Gaza, tha Burns në konferencë, citon CNN. Zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se Sinwar fshihet në tunelet nën vendlindjen e tij, Khan Younis në Gaza, dhe është vendimmarrësi kryesor për Hamasin nëse do të pranojë një marrëveshje.
Presioni i shtuar mbi Sinwar vjen pasi Hamasi dhe Izraeli kanë rënë dakord për një marrëveshje kornizë që Presidenti Joe Biden e parashtroi në fund të majit. Kjo është ajo që zyrtarët amerikanë kanë thënë se po përdoret si bazë për një marrëveshje për t'i dhënë fund luftimeve.
Ndërkohë SHBA ka shtuar presionin ndaj zyrtarëve izraelitë për arritjen e një armëpushimi.
"Izraeli është ende i përkushtuar për të arritur një armëpushim që Izraeli dëshiron të arrijë një armëpushim. Natyrisht, ata duan të mbrojnë interesat e tyre. Ne e kuptojmë se si pjesë e procesit të negociatave, por ata duan të arrijnë një armëpushim dhe janë të përkushtuar ndaj këtyre negociatave", tha Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA.
Sakaq, luftime janë zhvilluar në veri të Izraelit në kufi me Libanin. Rreth 20 raketa u hodhën nga Libani drejt Izraelit, shumica e të cilave u neutralizuan në qiell. Sipas mediave izraelite nuk ka të lënduar. Nga ana e tij, Izraeli është kundërpërgjigjur duke goditur "infrastrukturën terroriste të Hezbollahut në Libanin jugor". (A2 Televizion)