"Ka humbur realitetin”, Macron: Do mbroj Europën me armë bërthamore

Nga A2 CNN
6 Mars 2025, 11:17 | Bota

Franca do të jetë ombrella bërthamore e Europës përballë kërcënimit rus. Këtë fakt e ka bërë të ditur, Presidenti francez, Emmanuel Macron në një fjalim drejtuar kombit. Fjalimi i ishte qartë i drejtuar vendeve europiane, duke përmendur dhe paralajmëruar faktin se Evropa duhet të përballet me kërcënimin nga Rusia.

“Parandalimi ynë bërthamor na mbron: është i plotë, sovran, francez deri në fund. Por, duke iu përgjigjur thirrjes historike të kancelarit të ardhshëm gjerman, kam vendosur të hap debatin strategjik për mbrojtjen e aleatëve tanë në kontinentin evropian përmes parandalimit tonë (bërthamor). E gjithë çështja do të mbetet në duart e Presidentit francez”, tha Macron.

Kancelari gjerman në pritje Friedrich Merz ka vënë në pikëpyetje nëse NATO do të mbetet në "formën aktuale" deri në qershor dhe ka mbrojtur bisedimet me Francën dhe Britaninë për një zgjerim të mbrojtjes së tyre bërthamore. Strategjia e parandalimit bërthamor të Francës deri më tani ka qenë mbrojtëse dhe ka për qëllim mbrojtjen e interesave jetike të vendit.

Në fjalimin e tij televiziv, Macron tha gjithashtu se Franca do të duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen dhe do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën. Ai pranoi shqetësimet e votuesve për Rusinë dhe për përmbysjen e rendit ndërkombëtar nga administrata e re e SHBA.

"Ju jeni, legjitimisht të shqetësuar për ngjarjet aktuale, të cilat po prishin rendin botëror. Rusia është bërë një kërcënim për Francën dhe Evropën, të shikosh dhe të mos bësh asgjë do të ishte çmenduri", shtoi
Emmanuel Macron.

Nga ana e saj, Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova akuzoi presidentin francez Emmanuel Macron se nuk ka lidhje me realitetin pasi ai e quajti Rusinë një kërcënim për Evropën dhe tha se do të konsideronte vendosjen e aleatëve evropianë nën mbrojtjen bërthamore.

“Çdo ditë ai bën ndonjë deklaratë krejtësisht joreale që bie ndesh me ato të mëparshmet. "Ai është një tregimtar," tha Zakharova. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos