Diskutimet në komisionet parlamentare janë zhvendosur te buxheti i vitit të ardhshëm. Me opozitën përballë, ministri i Financave, Petrit Malaj, solli edhe një herë në vëmendje indeksimin e pensioneve dhe bonusin.
“Për indeksimin dhe politikat e reja të pensioneve parashikohet një fond prej 4 miliardë lekësh, ndërsa 20 miliardë lekë do të financojnë bonusin mujor për pensionistët”, tha Malaj, shkruan A2.
Buxheti në këtë sektor është në rritje edhe për shkak të shtimit të numrit të pensionistëve: “Projektbuxheti siguron gjithashtu financim të plotë të shtesës natyrore të përfituesve. Në fund të vitit 2027 numri i pensionistëve për të gjitha kategoritë pritet të arrijë në 805 000 persona, ndërsa sistemi do të mbështesë në total me të ardhura rreth 850 000 persona”.
Por, për demokratët fondi i pensioneve është në vështirësi, ndërsa popullsia po plaket.
Eno Bozdo u shpreh: “rinia madje përgjysmohet, për fat të keq. Aty ku kemi problemin më të madh shoqëror, largimin e të rinjve, mbështetja për rininë këtu përgjysmohet. Hendeku i skemës së sigurimeve shoqërore arrin në 80.7 miliardë lekë. A ka një analizë aktuale Ministria e Financës? Cila është baza ligjore e bonusit, përveç dëshirës së kryeministrit për t'i shpërndarë gjithmonë përpara zgjedhjeve?”.
Për ministrin e financave ky është buxheti më i lartë, por edhe synon rishpërndarjen e drejtë të fondeve. (A2 Televizion)