Kristian Shpendi po përjeton një sezon fantastik në futbollin italian, duke u kthyer në një nga sulmuesit më të spikatur të Serisë B. Talenti i Kombëtares shqiptare ka gjetur rrugën e rrjetës plot 8 herë në 10 javët e para të kampionatit, duke kryesuar listën e golashënuesve.
Por, përtej golave, Shpendi po vendos edhe statistika të jashtëzakonshme. Nga 11 golat e realizuar nga Çezena në kampionat, 8 mbajnë firmën e tij. Pra, sulmuesi shqiptar ka shënuar plot 73 për qind të golave të skuadrës, përqindja më e lartë mes futbollistëve të kampionateve profesioniste italiane.
Një tjetër tregues i rritjes së tij është krahasimi me sezonet e mëparshme. Në të njëjtën periudhë të sezonit 2023-2024, kur luante në Serinë C, Shpendi kishte realizuar 7 gola, ndërsa në sezonin e parë në Serinë B kishte shënuar 6.
Këtë herë, ai e ka përmirësuar rekordin personal me 8 realizime.Tashmë objektivi është kuota e 10 golave në fazën e parë, një shifër që e ka arritur edhe më parë.
Me këtë ritëm, Shpendi po konfirmon se Shqipëria ka një goleador që premton shumë për të ardhmen. (A2 Televizion)