Champions League/ Como shkruan historinë, i shënon 9 gola Lensit

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2026, 14:00 | Futboll

Futbolli europian regjistroi një nga mbrëmjet më të çmendura të historisë së Champions League. Como nuk mjaftohet me një fitore të zakonshme në transfertën franceze, por shkatërron Lensin me rezultatin e pabesueshëm 9-1, duke barazuar rekordin për fitoren më të thellë në historinë e kompeticionit.

Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas e ktheu stadiumin në një skenë spektakli. Gjithçka nisi që në minutën e shtatë, kur Anastasios Douvikas zhbllokoi rezultatin. Sulmuesi grek realizoi dopietë, ndërsa Nico Paz shtoi golin e tretë përpara pushimit, duke e bërë pjesën e parë një makth për vendasit.

Por, ajo që ndodhi pas pushimit ishte edhe më e pabesueshme. Lucas Da Cunha shënoi të katërtin, Marc-Oliver Kempf realizoi me kokë, ndërsa Douvikas kompletoi tripletën. Mattia Liberali çoi shifrat në 7-0, përpara se Ruben Aguilar të shënonte golin e nderit për Lensin. Martin Baturina shtoi të tetin, ndërsa Matteo Papaccioli, vetëm 18 vjeç, vulosi rezultatin 9-1 në minutën e parë shtesë, duke shënuar në debutimin e tij me ekipin e parë në këtë kompeticion, shkruan A2.

Dhe pikërisht këtu qëndron një prej rekordeve më të mëdha të kësaj mbrëmjeje. Como barazon diferencën më të thellë të fitores në historinë e Champions League moderne, tetë gola diferencë. Përpara saj, këtë kishin arritur vetëm Liverpooli me Besiktasin në vitin 2007 dhe Real Madridi ndaj Malmos në vitin 2015, të dyja me rezultatin 8-0. Ndërkohë, Bayern Munich mbetet skuadra e vetme që kishte shënuar nëntë gola në një ndeshje, në fitoren 9-2 ndaj Dinamos së Zagrebit në vitin 2024.

Një tjetër rekord është se Como bëhet skuadra e parë që arrin një fitore me tetë gola diferencë në transfertë në historinë e Champions League. Për më tepër, është një rezultat që përbën humbjen më të rëndë të një skuadre franceze në këtë kompeticion.

Në edicionin e parë europian të këtij niveli, Como ka fituar tri nga katër ndeshjet e zhvilluara në fazën e ligës. Projekti i Fabregasit po kthehet në një nga historitë më interesante të futbollit europian. Një skuadër që deri pak vite më parë ishte larg elitës, sot shënon nëntë gola në Champions League dhe hyn në librat e historisë! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos