Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi vazhdimin e kontakteve midis Moskës dhe Kievit, pavarësisht mosmarrëveshjeve të dukshme midis dy palëve.
"Ne kishim rënë dakord që do të vazhdonim kontaktet pas shkëmbimeve dhe pas përfundimit të veprimit humanitar që propozuam. Po i referohem kthimit të trupave të ushtarëve të rënë", tha Putin, duke sqaruar se kjo ishte një përparësi për palën ruse.
Presidenti rus u pyet gjithashtu në lidhje me qëndrimet kontradiktore të përfshira në memorandumet e të dyja palëve, duke vënë në dukje se divergjenca midis tyre ishte e pritshme.
"Siç pritej, nuk kishte asgjë të papritur. Këto janë dy memorandume krejtësisht të kundërta. Nuk mund t'ju them asgjë të habitshme", komentoi Putin.
Megjithatë, ai theksoi se procesi i negociatave nuk e humbet rëndësinë e tij, pasi qëllimi është të identifikohen pikat e konvergjencës.
“Negociatat organizohen dhe zhvillohen me qëllim kërkimin e mënyrave të afrimit. Fakti që tekstet janë diametralisht të kundërta nuk më duket aspak i çuditshëm”, shtoi ai.
Putin tha gjithashtu se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po fillojnë të stabilizohen, duke ia atribuar këtë përmirësim përpjekjeve të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Putin përsëriti se ka “respekt të madh” për Trumpin dhe është i gatshëm të takohet me të. Ndërsa një takim i tillë do të kërkonte përgatitje të kujdesshme, Putin tha se është “mjaft i mundur”.
“Në përgjithësi, falë Presidentit Trump, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po fillojnë të normalizohen në një farë mënyre”, tha Putin në një konferencë për shtyp në Minsk.
“Jo gjithçka është vendosur në fushën e marrëdhënieve diplomatike, por hapat e parë janë ndërmarrë dhe ne po ecim përpara”, shtoi ai. (A2 Televizion)