
Dy persona janë qëlluar për vdekje në Kenian qendrore, mes protestave kundër planeve të SHBA-së për të krijuar një qendër izolimi për Ebolën në një bazë ushtarake. Një nga viktimat u qëllua në një zonë afër Bazës Ajrore Laikipia, ku po zhvillohej një demonstratë.
Ai vdiq pasi u soll në spitalin e qytetit nga të afërmit. Viktima tjetër ishte tashmë e vdekur kur u dërgua në spital nga ushtarët. Rrethanat e vdekjes së tyre nuk janë të qarta dhe zyrtarët nuk kanë komentuar për këtë çështje. Një zëdhënës i policisë i tha agjencisë së lajmeve Reuters se nuk ishte në dijeni të ndonjë vdekjeje.
Të hënën, qindra demonstrues marshuan nëpër rrugët e qytetit, duke bllokuar rrugët dhe duke djegur goma, me policinë që qëlloi gaz lotsjellës për t'i shpërndarë ata. Plani i SHBA-së për të ngritur një strukturë trajtimi për Ebolën në Kenia ka ngjallur shqetësim publik në lidhje me rreziqet e infeksionit ndërkufitar.
Qendra e izolimit me 50 shtretër do të ketë personel mjekësor amerikan dhe ka për qëllim trajtimin e qytetarëve amerikanë të prekur nga shpërthimi aktual në Republikën Demokratike të Kongos. (A2 Televizion)