Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, deklaroi se Rezistenca Palestineze do të dalë fituese në luftën me Izraelin dhe ky shtet do të zhduket nga toka.
“Mos dyshoni se fitorja i përket të drejtëve. Mos dyshoni se regjimi uzurpues sionist do të zhduket nga faqja e dheut”, theksoi Ajatollahu.
Në lidhje me sulmet e kryera nga Izraeli në qytetin e Gazës, lideri i Iranit deklaroi se e gjithë bota i konsideron Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar përgjegjëse për krimet e kryera nga Izraeli kundër popullit palestinez: “SHBA vendosën në mënyrë të hapur veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit që bën thirrje për një armëpushim dhe kjo e ka hequr maskën nga fytyra e qytetërimit perëndimor”.
Nga ana tjetër, Khamenei thekson se sulmet e Izraelit në Gaza, së bashku me mbështetjen e fuqive të tjera, diskredituan Perëndimin dhe treguan pretendimet e tij të rreme për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Gjithashtu, ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara janë në krye të sulmeve kundër Gazës dhe se pa mbështetjen e saj me armë, Izraeli nuk mund të vazhdonte me sulmet.
(A2 Televizion)