Kievi zgjohet nga sirenat e alarmit, Rusia sulmon me raketa hipersonike Iskander

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2024, 17:11 | Bota

Kievi zgjohet nga sirenat e alarmit, Rusia sulmon me raketa hipersonike Iskander

Të paktën dy civilë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur mëngjesin e së premtes në një valë të madhe bombardimesh ruse në kryeqytetin e Ukrainës dhe në rajonin jugor Herson.

Në të gjithë Ukrainën u lëshuan sirena për të paralajmëruar sulme ajrore për disa orë. Rusia hodhi tetë raketa – përfshirë raketa hipersonike Kinzhal dhe raketa balistike Iskander/KN-23 – vetëm në Kiev, tha kryetari i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko.

Kherson gjithashtu është prekur nga bombardimet masive nga artileria ruse, e cila ka goditur ndërtesat e banimit, infrastrukturat kritike janë dëmtuar, energjia elektrike është zhdukur në disa zona të qytetit, transporti elektrik i qytetit dhe semaforët janë dëmtuar.

“Në përgjigje ndaj veprimeve të regjimit të Kievit, të mbështetur nga sponsorët e tij perëndimorë, këtë mëngjes u krye një goditje kolektive me armë me precizion të lartë me rreze të gjatë veprimi në qendrën e kontrollit të inteligjencës (SBU), byronë e projektimit në Kiev Luch, e cila projekton dhe prodhon sistemin raketor Neptun, si dhe pozicionet e sistemit raketor anti-ajror Patriot”, njoftoi ministria ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes kujtoi se më 18 dhjetor, një sulm me raketa u nis nga territori i Ukrainës kundër fabrikës Kamensky (e cila prodhon municione) në rajonin e Rostovit me gjashtë raketa Atacms të prodhimit amerikan dhe katër raketa lundrimi Storm Shadoë, prodhim britanik.

Bombardimet e së premtes pasuan deklaratën e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili sugjeroi të enjten një "duel të teknologjisë së lartë" mbi Kievin për të dëshmuar se raketa e re hipersonike balistike e Rusisë, e quajtur Oreshnik, nuk mund të shkatërrohet nga mbrojtjet ajrore të furnizuara nga Perëndimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos