Zbardhen diskutimet mes Trump-it dhe shefit të NATO-s

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2026, 08:14 | Bota

Zbardhen diskutimet mes Trump-it dhe shefit të NATO-s

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, diskutuan për luftën Rusi-Ukrainë, konfliktin në Iran dhe rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në të gjithë aleancën. Lajmi bëhet i ditur në një deklaratë të përbashkët të publikuar të mërkurën nga Shtëpia e Bardhë.

Takimi u zhvillua në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago, në Florida, dhe ishte i mbyllur për mediat.
Në deklaratën e publikuar pas takimit, Shtëpia e Bardhë i cilësoi diskutimet si një “takim të shkëlqyer”, duke bërë të ditur se në fokus ishin disa prej çështjeve kryesore të sigurisë ndërkombëtare.

“Takimi ishte shumë domethënës, ku lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe konflikti në Iran, ishin temat kryesore”, thuhet në deklaratë.

Trump dhe Rutte shqyrtuan gjithashtu progresin e arritur në samitet e NATO-s të zhvilluara në Hagë dhe Ankara të Turqisë.

“Diskutuam gjithashtu rëndësinë që Rusia të shmangë çdo veprim që, me qëllim ose pa dashje, mund të zgjerojë luftën, si dhe rëndësinë e arritjes sa më të shpejtë të një zgjidhjeje paqësore të konfliktit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump dhe Rutte diskutuan edhe rëndësinë e vijimit të rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe investimeve në industrinë e mbrojtjes, si në SHBA, ashtu edhe në vendet anëtare të NATO-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos