Kishte inskenuar vdekjen, kapet “Pipo”, narkotrafikanti më i kërkuar nga SHBA

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2025, 16:04 | Bota

Kishte inskenuar vdekjen, kapet “Pipo”, narkotrafikanti më i

Një nga bosët më të rrezikshëm ndërkombëtarë të drogës, i shpallur prej vitesh në kërkim nga autoritetet amerikane, është arrestuar në Europë, plot katër vite pasi kishte inskenuar vdekjen e tij.

Wilmer Chavarria, i njohur me nofkën “Pipo”, lideri i dyshuar i bandës së përgjakshme Los Lobos në Ekuador, u ndalua të dielën në qytetin spanjoll të Malagës në një operacion të përbashkët mes policisë spanjolle dhe asaj ekuadoriane, shkruan A2 CNN. Ai kishte mbërritur në Spanjë me avion nga Maroku, raportoi Wall Street Journal.

Familjarët e Chavarrias pretenduan në vitin 2021 se ai kishte ndërruar jetë pas një ataku kardiak të shkaktuar nga COVID-19. Por hetimet zbuluan se ai kishte siguruar një pasaportë të falsifikuar kolumbiane dhe një identitet të rremë venezuelas, për të ikur nga vendi në vitin 2022.

Sipas autoriteteve, për të shmangur identifikimin, ai iu nënshtrua shtatë ndërhyrjeve kirurgjikale për të ndryshuar pamjen dhe përdorte emrin e rremë Danilo Fernandez. Gjatë këtyre viteve, ai ka lëvizur lirisht midis Dubait, Marokut, Italisë, Holandës dhe Gjermanisë, duke qëndruar në disa nga hotelet më luksoze të kontinentit.

Sipas ministrit të Brendshëm të Ekuadorit, John Reimberg, “Pipo” ka vazhduar të koordinojë trafikun ndërkombëtar të drogës, ka urdhëruar vrasje në Ekuador dhe ka kontrolluar operacione të paligjshme të minierave, duke bashkëpunuar ngushtësisht me kartelin meksikan Jalisco New Generation. Reimberg e cilësoi operacionin si “një ditë historike”, duke deklaruar se Chavarria është përgjegjës për të paktën 400 vrasje. “Mesazhi është i qartë: kudo që fshihen, ne do t’i gjejmë”, tha ai.

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, i rizgjedhur me një platformë të fortë kundër bandave kriminale, përshëndeti arrestimin. “Disa e menduan të vdekur; ne e gjetëm në ferrin e tij”, shkroi ai në X. “Sot mafiet tërhiqen. Sot fiton Ekuadori”.

Vendi amerikano-jugor është përfshirë nga një valë dhune që prej vitit 2021, kur banda si Los Lobos morën kontrollin e burgjeve dhe eliminuan kundërshtarët e tyre. Sot, Ekuadori ka një nga normat më të larta të vrasjeve në botë, me një rritje prej 800% që prej vitit 2018. Katër nga 10 qytetet më vdekjeprurëse në botë ndodhen atje.

Los Lobos akuzohet gjithashtu për vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në gusht të vitit 2023, si dhe për atentate ndaj zyrtarëve lokalë dhe gazetarëve, në përpjekje për të kontrolluar portet strategjike për trafikun e kokainës nga Kolumbia dhe Peruja.

SHBA vendosi sanksione ndaj bandës në qershor 2024 dhe më vonë e shpalli organizatë terroriste, si pjesë e ofensivës së administratës Trump kundër karteleve ndërkombëtare. Presidenti Noboa ka dislokuar ushtrinë në rrugë dhe ka rimarrë nën kontroll burgjet që dikur drejtoheshin nga kriminelët. Ai madje ka kërkuar ndihmën e ushtrive amerikane dhe evropiane për të luftuar grupet që ai i quan “narko-terroriste”.

Megjithatë, të dielën ai pësoi një humbje politike, pasi qytetarët ekuadorianë votuan kundër një referendumi që do të lejonte vendosjen e bazave të huaja ushtarake në territor. Pavarësisht kësaj, Noboa deklaroi se do të respektojë vullnetin e popullit, duke shtuar se lufta kundër krimit të organizuar do të vazhdojë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos