Një shtetas rumun i arrestuar në Aeroportin e Lutonit të shtunën u akuzua në lidhje me tre sulme të dyshuara me zjarrvënie ndaj pronave dhe një makine të lidhur me kryeministrin britanik, Sir Keir Starmer.
26-vjeçari Stanislav Carpiuc nga Romford, do të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster këtë mëngjes. Ai akuzohet për komplot së bashku me ukrainasin Roman Lavrynovych, por edhe për tre akuza për zjarrvënie të qëllimshme me synim rrezikimin e jetës në lidhje me zjarret.
Carpiuc u ndalua pas hetimit nga oficerët e Komandës Kundër Terrorizmit të Metropolit dhe ai është i dyshuari i dytë që akuzohet për zjarret në pronat e Starmer.
Dy nga zjarret ndodhën në Kentish Town, njëri më 12 maj në shtëpinë ku jetonte Sir Keir përpara se të bëhej Kryeministër. Një makine iu vu flaka në të njëjtën rrugë katër ditë para këtij sulmi.
Zjarri i tretë ndodhi më 11 maj në derën e përparme të një shtëpie të shndërruar në apartamente në Islington.
Për këto ngjarje një 34-vjeçar u arrestua të hënën në zonën e Chelseat, SW3, me dyshimin për komplot për të kryer zjarrvënie të qëllimshme me qëllim rrezikimin e jetës. Ai mbetet në paraburgim policor.
Ndërkohë, ukrainasi Roman Lavrynovych nga Sydenham në jug të Londrës, doli para gjykatës të premten.
Roman Lavrynovych bleu karburant nga B&Q disa ditë para se të kryente tre sulmet. Ai akuzohet se i vuri flakën pronës së Kryeministrit me vlerë 2 milionë paund në Londrën veriore në orët e para të së hënës, pasi kishte djegur më parë një makine dhe një prone tjetër që kishte në pronësi më parë kryeministri britanik. (A2 Televizion)