Koreja e Jugut dhe SHBA nisin stërvitjet, Pheniani lëshon raketa balistike "të panjohura"

Nga A2 CNN
10 Mars 2025, 10:48 | Bota

Koreja e Jugut dhe SHBA nisin stërvitjet, Pheniani lëshon raketa

Koreja e Veriut lëshoi sot “raketa balistike të tipit të panjohur", njoftoi shtabi i përgjithshëm në Seul, në ditën kur nisin stërvitjet e përbashkëta vjetore të mëdha midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, të quajtura "Mburoja e Lirisë".

“Forcat tona të armatosura zbuluan rreth orës 13:50 lëshimin e disa raketave balistike të një lloji të panjohur nga provinca Hwanghae drejt Detit Perëndimor", tha Shefi i Shtabit të Përbashkët në Seul, duke përdorur emrin korean për Detin e Verdhë.

“Forcat tona të armatosura do të rrisin mbikëqyrjen dhe do të mbajnë një nivel të plotë gatishmërie në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës së sotme, Koreja e Veriut i cilësoi stërvitjet "Mburoja e Lirisë" një provokim, duke paralajmëruar rrezikun e një lufte të shkaktuar nga një "aksident", i cili mund të fillojë për shkak të "një plumbi".

Ky është një akt i rrezikshëm provokues, i cili përkeqëson situatën në gadishullin Korean dhe mund të shkaktojë një konflikt midis dy palëve me një plumb të shkrepur aksidentalisht”, tha Ministria e Jashtme e Phenianit, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA.

Stërvitjet e përbashkëta ushtarake SHBA-Korea e Jugut nisin sot dhe janë planifikuar të përfshijnë stërvitje në terren, me prani fizike, si dhe simulime në mënyrë dixhitale, sipas një deklarate nga forcat e armatosura të SHBA.

Sipas të njëjtit njoftim, ato pritet të zgjasin deri më 21 mars. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos