Krisje e madhe mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ministri i jashtëm i Moskës, Sergej Lavrov, akuzon Uashingtonin se nuk i është përmbajtur angazhimeve të pranuara në samitin e Alaskës vitin e kaluar, për të nisur një bashkëpunim. Kryediplomati pretendon se presidenti Donald Trump është i fokusuar në dominimin ekonomik.
“Ata bënë një propozim në lidhje me Ukrainën dhe ne ishim të gatshëm ta pranonim, por tani ata nuk duan, nuk shohim ndonjë të ardhme të ndritur as në sferën ekonomike. Amerikanët duan të marrin kontrollin e të gjitha rrugëve për të furnizuar vendet kryesore të botës dhe të gjitha kontinentet me burime energjie”, u shpreh ai, përcjell A2 CNN.
Sa për sferën ekonomikë, Lavrov theksoi se do të vazhdojë projektet e saj në BRICS me Indinë, Kinën, Brazilin dhe vende të tjera, teksa akuzoi Amerikën për pengesa në këtë rrugë. Ministri rus nuk ngurroi që të sulmonte ashpër NATO-n, Bashkimin Europian dhe OSBE-në, duke pretenduar se janë vjetëruar shumë. Madje deklaroi se për Moskën nuk ka rëndësi opinioni i tyre, por vetëm i Shteteve të Bashkuara.
“Na thuhet se problemi i Ukrainës duhet të zgjidhet. Në Alaskë, ne e pranuam propozimin e SHBA-së. Nëse i qasemi si burrë kësaj, që do të thotë se ata e propozuan dhe ne ramë dakord, kështu që problemi duhet të zgjidhet. Presidenti Putin ka thënë në shumë raste se nuk është e rëndësishme për Rusinë se çfarë do të thonë Ukraina dhe Europa; ne mund ta shohim qartë rusofobinë primitive të shumicës së regjimeve në Bashkimin Europian, me përjashtime të rralla. Qëndrimi i SHBA-së ishte i rëndësishëm për ne”, shtoi Lavrov.
Ndërkohë, Rusia nuk ka marrë ende një përgjigje nga Shtëpia e Bardhë mbi propozimin për të kontribuuar me fonde nga asetet e ngrira në Bordin e Paqes për Gazën. Këtë e konfirmoi Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit. (A2 Televizion)