India do të diskutojë shkarkimin e hershëm të shtetasve që u “mashtruan” për të shërbyer në ushtrinë ruse, tha Sekretari i Jashtëm i kryeministrit të Indisë, Narendra Modi.
Muajt e fundit janë shfaqur disa raste të indianëve që u joshën në Rusi me premtime për punë fitimprurëse ose arsimim, por përfunduan duke luftuar kundër Ukrainës. Në maj, policia indiane arrestoi katër persona të lidhur me një rrjet trafikimi njerëzor të përfshirë në këtë praktikë.
Të paktën katër shtetas indianë janë vrarë në luftë, deri më tani, duke bërë që qeveria e Modit të bëjë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të një rekrutimi të tillë dhe lirimin e shpejtë të indianëve që luftojnë për Rusinë. India vlerëson se diku midis 30 dhe 40 qytetarë të saj mund të jenë duke shërbyer tashmë për Rusinë. "Janë bërë të gjitha përpjekjet që shtetasit indianë të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur", tha Narendra Modi, duke shtuar se 10 indianë ishin kthyer tashmë.
Mijëra njerëz kanë vdekur nga të dyja anët që kur Putin nisi pushtimin në shkallë të plotë në shkurt 2022, por India, e cila ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me Moskën për dekada, ka refuzuar të dënojë Rusinë për luftën.
Kombet e tjera të Azisë Jugore kanë paralajmëruar gjithashtu qytetarët e tyre që të mos joshen për t'u bashkuar me ushtrinë ruse. Sri Lanka ka forcuar kontrollet për të ndaluar qytetarët e saj që të mashtrohen, me qeverinë që thotë se dhjetëra që duan të kthehen në shtëpi, janë pjesë e luftës tashmë. Në maj, Nepali tha gjithashtu se disa nga qytetarët e tij ishin rekrutuar ilegalisht për t'u bashkuar me ushtrinë ruse, ku të paktën 200 vlerësohet se shërbenin në front dhe rreth 100 rezultojnë të zhdukur.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, do të vizitojë Rusinë, më 8 dhe 9 korrik, për bisedime me presidentin Vladimir Putin. (A2 Televizion)