Shefi në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se shpreson se Ukraina do të mund t’i bashkohet aleancës ushtarake brenda dhjetë viteve të ardhshme.
“Vërtet shpresoj se Ukraina do të bëhet anëtare”, tha Stoltenberg duke iu përgjigjur pyetjes për zgjerimin e mundshëm të NATO-s .
Ai u bëri thirrje aleatëve ta furnizojnë Ukrainën me më shumë armatime dhe municione për ta ndihmuar ta mposhtë pushtuesin rus.
“Sa më e madhe që të jetë mbështetja, aq më shpejt do të përfundojë lufta”, theksoi ai.
Stoltenberg, të cilit i mbaron mandati më 1 tetor, i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA. Përveç kësaj, përpara samitit të NATO-s në Uashington, i cili do të zhvillohet më 9-11 korrik, Stoltenberg bëri thirrje për një rritje të ndihmës ushtarake për Kievin. (A2 Televizion)