Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot në orën 21:00 me orën e Shqipërisë, në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, tha se do t’i përcjellë qartë mesazhin Këshillit se “nuk do të ketë imunitet për terroristët – as në Gaza, as në Liban, e as në Katar”, përcjell A2 CNN.
Në një linjë të ngjashme u shpreh edhe ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, i cili paralajmëroi se Izraeli do të vazhdojë të synojë Hamasin “kudo që të gjendet.” Në një intervistë për Fox Neës, ai u pyet për kritikat ndaj sulmit të djeshëm në Doha, ku disa nga objektivat e synuara nuk u eliminuan plotësisht.
“Tani, ndoshta mund të jemi në qendër të kritikave, por do të kalojë. Nëse nuk i kemi goditur këtë herë, do t’i godasim herën tjetër”, tha Leiter, duke shtuar se kritikat ndaj operacionit nuk do të ndryshojnë vendosmërinë e Izraelit. “Hamasit i është dhënë një paralajmërim të qartë”, theksoi ai.
Komentet e tij erdhën edhe pas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, e cila e cilësoi sulmin si një veprim që nuk i shërben objektivave të përbashkët të Izraelit dhe SHBA-së. Ndërkohë, Presidenti Donald Trump tha se ishte “jo i entuziazmuar” nga goditja, por Leiter theksoi se partneriteti mes dy vendeve mbetet i fortë.
“Izraeli nuk ka pasur kurrë një mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë se Presidenti Trump. Ne jemi të bashkuar në synimin për të eliminuar Hamasin si kërcënim për paqen në Lindjen e Mesme”, u shpreh ambasadori. (A2 Televizion)