Në zemër të Londrës, mes turistëve, punonjësve dhe kalimtarëve të zakonshëm, një teknologji që dikur dukej si skenar filmi fantastiko-shkencor po bëhet pjesë e realitetit të përditshëm. Kamerat e njohjes së fytyrës, të vendosura në rrugët e kryeqytetit britanik, po skanojnë mijëra njerëz në kohë reale, ndërsa policia kërkon persona të shpallur në kërkim.
Në anën e një furgoni të Policisë Metropolitane shkruhet qartë: “Njohja e fytyrës në kohë reale në funksion.” Por shumë prej atyre që kalojnë pranë tij nuk e kuptojnë se fytyrat e tyre po analizohen brenda sekondash nga algoritme biometrike.
“Dalim me një furgon si ky, ose ndonjëherë me dy furgonë, gjashtë, shtatë apo tetë herë në javë në ato që i quajmë zona me kriminalitet të lartë në të gjithë Londrën. Aty kemi një listë vëzhgimi në furgon dhe, siç është sot, qytetarët kalojnë pranë dhe nëse sinjalizohet një përputhje e mundshme, oficerët e shohin dhe vendosin nëse duhet të ndërhyjnë apo jo.”, tha Lindsey Chisick nga Policia Metropolitane në Londër.
Në ekranet brenda furgonit, fytyrat e kalimtarëve krahasohen me listat e personave të kërkuar nga policia dhe gjykatat britanike. Sipas autoriteteve, teknologjia ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme.
“Teksa po e bëjmë këtë, kemi kapur që nga fillimi i vitit 2024 rreth dy mijë e pesëqind persona të kërkuar që janë arrestuar. Vetëm këtë vit, 500. Pra, numri i shkelësve të kërkuar është vërtet i lartë. Kur them persona të kërkuar, bëhet fjalë për njerëz të kërkuar nga policia dhe gjykatat, dhe mund të jenë vepra nga grabitja, dhuna ndaj grave dhe vajzave, si përdhunimi. Patëm edhe një rast për mbytje që ishte veçanërisht i tmerrshëm. Dhe së fundmi ishte në lajme rasti kur një pedofil po ecte në rrugë duke mbajtur përdore një vajzë tetëvjeçare. Ai ishte subjekt kufizimesh ligjore dhe nuk duhej të ishte kurrë vetëm me një vajzë të vogël si ajo. Si pasojë, tani është rikthyer në burg.”, tha Lindsey Chisick.
Pamjet nga operacionet tregojnë momentin kur një burrë i identifikuar nga sistemi ndalohet në mes të rrugës, prangoset dhe dërgohet me furgon policie. Autoritetet insistojnë se teknologjia nuk merr vendime automatike.
“Në furgon ka një listë vëzhgimi. Lista është unike për çdo operacion. Ajo përgatitet jo më shumë se 24 orë më parë, për t’u siguruar që është sa më aktuale të jetë e mundur. Pastaj, ndërsa njerëzit kalojnë pranë kamerave, matjet e fytyrës së tyre krahasohen me matjet në atë listë vëzhgimi në furgon. Nëse ka një përputhje të dyshuar, telefoni celular i oficerit që e mban me vete sinjalizon përputhjen. Oficeri dhe personat në furgon e shohin dhe vendosin vetë nëse duket si ngjashmëri mes dy profileve dhe, nëse mendojnë se po, shkojnë dhe flasin me personin. Pra, nuk ka arrestim automatik, nuk ka vendimmarrje të automatizuar nga teknologjia. Gjithmonë është një njeri, një oficer policie, në proces, që merr vendimin nëse duhet të ketë një bisedë apo jo.”, tha Lindsey Chisick
Policia britanike pretendon se sistemi është jashtëzakonisht i saktë. Sipas të dhënave të tyre, në më shumë se 3 milionë fytyra të skanuara gjatë një viti, pati vetëm 10 alarme të gabuara dhe asnjë arrestim të padrejtë.
“Është jashtëzakonisht i saktë. E kemi testuar në mënyrë të pavarur përmes një organizate të quajtur Laboratori Kombëtar Fizik, që specializohet në këtë lloj testimi. Ata testuan algoritmin dhe ishin në gjendje të na tregonin sa i saktë është: shumë i saktë, dhe gjithashtu si ta përdorim në një mënyrë që minimizon çdo paragjykim në algoritëm. Kjo do të thotë se ne e dimë që nëse operojmë në një prag të caktuar, nuk ka fare paragjykim në sistem. Dhe praktikisht, ajo që po shohim në rrugët e Londrës është se, gjatë një periudhe 12-mujore deri në shtator 2025, ne skanuam rreth tre milionë e ca fytyra. Nga ato, pati vetëm dhjetë sinjalizime të gabuara. Dhe nga ato dhjetë sinjalizime të gabuara, vetëm gjashtë persona u ndaluan për bisedë. Katër të tjerët i kuptuam menjëherë dhe as nuk u afruam tek ata. Dhe për ata gjashtë persona, pati vetëm një bisedë pesëminutëshe, në mos më pak. Nuk ka pasur kurrë një arrestim si rezultat i një sinjalizimi të gabuar.”, tha Lindsey Chisick.
Por ndërsa autoritetet e paraqesin teknologjinë si armë kundër krimit, kritikët paralajmërojnë për rrezikun e një shoqërie të mbikëqyrur në masë.
“Policia tashmë ka eksperimentuar me vendosjen e njohjes së fytyrës në kohë reale në kamerat e sigurisë dhe tani, në mënyrë alarmante, e kanë përdorur këtë teknologji oruelliane për herë të parë në një protestë. Pra, jemi realisht në rrezik të kthehemi në një komb të dyshuarish, ku gjurmohemi dhe monitorohemi që nga momenti kur dalim nga dera e shtëpisë, me pasoja të thella për privatësinë tonë, shprehjen tonë dhe lirinë e asociimit.”, tha Jasleen Chaggar Big Brother Watch.
Megjithatë, Policia Metropolitane këmbëngul se publiku e mbështet sistemin. Sipas sondazheve të saj, rreth 80 për qind e londinezëve janë në favor të përdorimit të teknologjisë për të luftuar krimin.
“Siç mund ta shihni, njerëzit po kalojnë pranë kamerave tani dhe shumica dërrmuese, në fakt të gjithë për momentin, thjesht po kalojnë pa e kuptuar fare. Krahasimi momental i imazhit biometrik është shumë i shkurtër. Është një ndërveprim kalimtar dhe menjëherë më pas, nëse nuk ka përputhje, të dhënat biometrike fshihen menjëherë. Pra, nuk ruhen, nuk arkivohen apo diçka e tillë. Është një ndërveprim shumë, shumë i shkurtër mes dy profileve biometrike dhe më pas ato shkatërrohen përgjithmonë. Dhe ajo që shohim në të gjithë Londrën është se njerëzit duan që krimi të luftohet në rrugët e tyre. Njerëzit duan që personat e kërkuar, shpesh të kërkuar dhe të zhdukur prej një kohe të gjatë, ndonjëherë duke përdorur identitete të rreme, të rikthehen në burg aty ku e kanë vendin. Pra, në përgjithësi, 80% e publikut në sondazhet tremujore mbështesin përdorimin tonë të kësaj teknologjie në Londër, gjë që është shumë e lartë.”
Në Britaninë e mbushur me kamera sigurie, ku qytetarët filmohen qindra herë në ditë, epoka e inteligjencës artificiale po e çon mbikëqyrjen në një nivel krejtësisht të ri. Dhe pyetja që po ngrihet gjithnjë e më shpesh është: deri ku duhet të shkojë siguria, pa cenuar lirinë?
(A2 Televizion)