Grupi i jashtëligjshëm kurd PKK, i cili ka zhvilluar një kryengritje 40-vjeçare kundër Turqisë ka njoftuar se do të heqë dorë nga lufta dhe do të dorëzojë armët.
Ky vendim vjen pas një thirrjeje të bërë në shkurt nga lideri i burgosur i grupit, Abdullah Ocalan, që organizata të shpërbëhet.
Fillimisht, PKK synonte krijimin e një shteti të pavarur për kurdët, të cilët përbëjnë rreth 20% të popullsisë së Turqisë. Megjithatë, në vitet e fundit, grupi është fokusuar më tepër në kërkesa për autonomi dhe të drejta më të mëdha për kurdët, sesa në ndarjen territoriale.
Më shumë se 40,000 njerëz kanë humbur jetën që nga fillimi i kryengritjes.
PKK, e shpallur organizatë terroriste nga Turqia, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, tha se ka përmbushur misionin e saj historik dhe do të braktisë metodën e luftës së armatosur.
Në shkurt, Ocalan, 76 vjeç, bëri thirrje që lëvizja të dorëzojë armët dhe të shpërbëhet. Ai ndodhet në izolim në një burg në një ishull në Detin e Marmarasë që nga viti 1999.
Në një letër të shkruar nga burgu, Ocalan tha: "Nuk ka alternativë ndaj demokracisë për ndërtimin e një sistemi politik. Konsensusi demokratik është rruga themelore."
Nuk dihet ende se çfarë do të fitojnë Ocalan dhe mbështetësit e tij në këmbim të shpërbërjes së PKK-së, por ka spekulime se mund të merret në konsideratë lirimi me kusht i tij. (A2 Televizion)