Malaj: Nuk janë protestat ato që e lënë Shqipërinë jashtë Bashkimit Europian

Nga A2 CNN
27 Tetor 2026, 20:51 | Politikë

Arben Malaj, ish-ministër i Financave, deklaroi se nuk do të jenë protestat ato që mund ta lënë Shqipërinë pa anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Gjenerata Z është e vërtetë që ka pretendime të tjera. Patjetër, sepse një shoqëri ka gjithmonë ambicie më të mëdha sesa e kaluara e saj. Por, t'i paragjykosh pse protestojnë për një jetë më të mirë është e pabesueshme. Po përmendim teorinë që në 1997 ne e penguam Bashkimin Europian. Por, procesi i Bashkimit Europian filloi pas samitit të Zagrebit dhe të Selanikut, në vitin 2003, dhe marrëveshja e parë e Stabilizim-Asocimit është firmosur nga qeveria jonë në 2003, ka përfunduar në 2005 dhe ka hyrë në fuqi në 2006, kur ka ardhur Partia Demokratike. Nuk janë protestat që e lënë Shqipërinë jashtë BE-së”, tha Malaj në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Sipas tij, “teoria që përdori Rama që vetëm me mua shkohet në BE, u atakua në mënyrë diplomatike nga vetë Bashkimi Europian”.

“Po ngrihen disa teza për ta denatyruar protestën. Protesta në thelb nuk kërkon të negociojë për karrigen, është e qartë në kërkesën e tyre politike dhe kanë të drejtën e tyre ta kërkojnë: kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Dhe kjo gjë duket më qartë në të gjitha gazetat ndërkombëtare. Rallëherë ndodh të jenë kaq të sinkronizuara në komentet që bëjnë. Ato thonë: “studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit për shkak të korrupsionit dhe për shkak të varfërisë”. Tani, diku u tha për iranianët, diku për turqit, diku forcat e errëta. Pse, nuk e dimë ne se Shqipëria ka vende që nuk e duan zhvillimin e saj? Po ç'është ky justifikim? Shteti, me gjithë këto struktura, duhet të parandalojë, jo të justifikohet. Nëqoftëse ka infiltrime, gjeje, çoje në burg. Por të thuash se e gjithë protesta është e iniciuar nga ata që s'e duan Shqipërinë dhe po e dëmton Shqipërinë, nuk ka të bëjë thjesht me fuqinë e atyre, ka të bëjë me dështimin e vendit tënd. Kështu që, disa teza që hidhen për të vrarë shpirtërisht protestuesit janë tërësisht demagogjike dhe pa asnjë bazë logjike. Në këtë aspekt, unë mendoj që protesta do vazhdojë. Uroj që të organizohen sa më parë sepse po vijnë zgjedhjet e pushtetit vendor që do të jenë një test. Duhet të kenë program politik, duhet të kenë ekip, duhet të kenë strategji derë më derë. Por, është protesta që i ka bërë krenarë shqiptarët. Shqiptarët ishin klasifikuar si komb që nuk protestonin asnjëherë. Në protestë ka ndikuar edhe arroganca e Edi Ramës”, shtoi Arben Malaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos