Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, u shpreh se opozita kërkon një qeverisje tranzitore, që, sipas tij, duhet të ketë detyrë të artë: realizimin e zgjedhjeve me standardet e Kosovës.
“Absolutisht nuk mund të ketë dialog me kryeministrin Edi Rama. Por, duhet të ketë dialog me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Në fund të ditës zgjidhja do jetë gjithmonë politike. Duhet të shkohet në Kuvend të Shqipërisë, do shkohet në zgjedhje. Dialog me kryeministrin nuk ka. Të gjejmë gjithë bashkarisht modalitetet për ngritjen e një qeverie tranzitore, me detyra të qarta, dhe detyra kryesore do të jetë realizimi i zgjedhjeve me standarte Kosove, jo me standarte Zvicre, Gjermanie apo Norvegjie. Të shkojmë në garë me lidership, ekip dhe program çdo forcë politike apo çdo koalicion politik dhe atje të përballen me njëri-tjetrin. Deri dje kjo gjë është mohuar dhe kjo është e shkruare zeza në të bardhë në raportin e OSBE/ODIHR-it. Nuk po thotë njeri të ikë Edi Rama dhe të vijë dikush tjetër. Jo, të ikë Edi Rama dhe të shkojmë në zgjedhje. Është provuar që qeverisja aktuale e drejtuar nga kryeministri Rama ka pasur mundësi të tregonte veten e vet në 7 palë zgjedhje. Duam qeverisje tranzitore dhe jo të shkojmë në zgjedhje për 45 ditë”, tha Teliti në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN. (A2 Televizion)