Kurth apo miqësi? Lula fton Putin në samitin e G20, por nuk përjashton arrestimin në Brazil

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2023, 12:57 | Bota

Kurth apo miqësi? Lula fton Putin në samitin e G20, por nuk

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të marrë një ftesë për të marrë pjesë në samitin e G20-s që do të zhvillohet në Brazil vitin e ardhshëm.

Presidenti Lula da Silva njoftoi ftesën e bujshme, por shtoi se nuk mund të ndikojë te drejtësia braziliane nëse ata veprojnë duke ekzekutuar një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) për arrestimin e kreut të Kremlinit.

Duke folur gjatë një vizite në Gjermani, Lula deklaroi se "edhe nëse Putin merr ose jo pjesë në samit, ai do të ftohet" për ngjarjen e planifikuar të zhvillohet në Rio de Zhaneiro në nëntor 2024.

Udhëheqësi brazilian, megjithatë, vuri në dukje se homologu i tij rus duhet të vlerësojë pasojat e një lëvizjeje të tillë, pasi i takon gjyqësorit brazilian të vendosë nëse do të respektojë urdhër-arrestin.

Lula shprehu gjithashtu shpresën se, deri në kohën e samitit të G20 në 2024, konflikti në Ukrainë do të përfundojë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare do të kthehen në “kohë normale”, duke përfunduar edhe sanksionet për Rusinë.

Është një vendim gjyqësor. Presidenti i republikës nuk gjykon vendimet gjyqësore, ai zbaton ose nuk zbaton. Putin është i ftuar për samitin e G20 në Brazil. Dhe nëse ai merr pjesë, ai e di se çfarë do të ndodhë. Mund të ndodhë ose të mos ndodhë”, tha Lula.

Megjithatë, Lula duket se ka ndryshuar disi qëndrimin e tij, pasi në shtator presidenti brazilian tha se Putin "mund të shkojë lehtësisht në Brazil për të marrë pjesë në ngjarje ndërkombëtare”. "Nëse unë jam president i Brazilit, dhe ai vjen në Brazil, nuk ka shanse që të arrestohet", u shpreh ai asokohe.

Duke komentuar pjesëmarrjen e mundshme të Putinit në G20, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti nuk kishte marrë ende një vendim për këtë çështje, ndërsa Putin ende nuk ka njoftuar ende nëse ai do të kandidojë për një mandat të ri në detyrë.

Brazili është një vend anëtar i GJNP-së, organi që në mars akuzoi Putinin dhe Maria Lvova-Belova, komisioneren e vendit për të drejtat e fëmijëve, për kryerjen e "krimeve të luftës" duke deportuar në mënyrë të paligjshme fëmijët ukrainas në Rusi.

Moska, e cila nuk njeh autoritetin e gjykatës, e konsideron urdhrin e arrestit të IÇ si të pavlefshëm dhe ka vendosur disa gjyqtarë të ICC-së në listën e të kërkuarve të drejtësisë pasi morën vendimin për Putin.

Zyrtarët rusë gjithashtu janë mbrojtur duke thënë se vendimi për evakuimin e fëmijëve ukrainas nga zona e konfliktit bazohej në shqetësimet e sigurisë, duke përsëritur se të miturit do t'u kthehen prindërve ose kujdestarëve ligjorë menjëherë pas kërkesës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos