Botuar fillimisht në anglisht në CNN
Investitori miliarder George Soros, donacionet e të cilit për të majtën kanë nxitur kritika nga e djathta për vite me radhë, është prej kohësh i paraqitur si “manipuluesi i ekstremit të majtë”. Shumica e teorive konspirative që lidhen me Soros, 95 vjeç, kanë pasur si objektiv gjithashtu fondacionin e tij jofitimprurës, Open Society Foundation, i cili u themelua dekada më parë dhe aktualisht kryesohet nga i biri, Alex Soros. Mes akuzave që i janë bërë organizatës së udhëhequr nga Soros janë edhe pretendimet e presidentit Donald Trump se ajo financon protestues të dhunshëm.
Armiqësia ndaj George Soros doli sërish në pah në Zyrën Ovale të enjten e kaluar, kur Trump u tha gazetarëve se e shihte Sorosin si një “kandidat të mundshëm” për hetim, vetëm pak ditë pasi kishte udhëzuar Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi të ngrinte akuza penale ndaj ish-drejtorit të FBI James Comey, senatorit të Kalifornisë Adam Schiff dhe Prokurores së Përgjithshme të Nju-Jorkut, Letitia James.
“Nëse shihni me kujdes Sorosin, ai është në krye të gjithçkaje”, shtoi Trump. “Është në çdo histori që lexoj, ndaj mendoj se do të ishte një kandidat i mundshëm”.
Komentet e Trump-it nuk erdhën rastësisht. Në gusht, ai tha se George dhe Alex Soros duhej të akuzoheshin për kriminalitet të organizuar.
“George Soros, dhe i biri i tij i mrekullueshëm i Radikalëve të Majtë, duhet të akuzohen sipas (Ligjit RICO) për shkak të mbështetjes së tyre për protesta të dhunshme, dhe shumë të tjera, në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, postoi Trump në Truth Social.
Departamenti i drejtësisë i Trump-it citoi një raport nga grupi konservator i mbikëqyrjes Capital Research Center, i titulluar: “Ekskluzive: Open Society i Sorosit dha 80 milionë dollarë për grupe pro-terroriste”.
Open Society Foundations reagoi duke thënë: “Ne dënojmë pa mëdyshje terrorizmin dhe nuk e financojmë atë. Aktivitetet tona janë paqësore dhe ligjore dhe nga përfituesit tanë pritet të respektojnë parimet e të drejtave të njeriut dhe të përmbushin ligjin”, duke i quajtur akuzat “sulme të motivuara politikisht ndaj shoqërisë civile”.
Donacionet e Soros
Fondacioni është kryesisht jofitimprurës me prirje të majtë. Deri më sot, ka shpenzuar më shumë se 24 miliardë dollarë, prej të cilave 1,2 miliardë u shpenzuan vetëm në vitin 2024.
Shumica e fondeve janë përdorur për “përmirësimin e aksesit në arsim dhe kujdes shëndetësor, drejtësi racore, reformë të politikave mbi drogën dhe zgjerimin e të drejtave të njeriut”, si dhe për të adresuar ndryshimet klimatike dhe autoritarizmin, sipas faqes së tij zyrtare.
Rrjeti i fondacionit ka punuar në më shumë se 100 vende. Dhurimi i tij i parë ishte në vitin 1979, kur ofroi bursa për studentë me ngjyrë në Afrikën e Jugut, gjatë aparteidit. Në vitet 1980, financoi vizita akademike në Perëndim për disidentët e Europës Lindore që kundërshtonin komunizmin.
Soros, i cili prej kohësh ka qenë financues i Partisë Demokratike në SHBA, dhuroi 125 milionë dollarë për një liberalët në vitin 2021, sipas platformës OpenSecrets. Por amerikanët e pasur që kontribuojnë politikisht nuk janë diçka e re, republikanët kanë gjithashtu donatorët e tyre të mëdhenj, si Charles Koch, Miriam Adelson dhe Timothy Mellon.
“Megjithëse shpesh paraqitem si përfaqësues i së majtës ekstreme dhe nuk jam i lirë nga paragjykimet politike, e pranoj se pala tjetër ka të drejtë kur thotë se qeveria është joefikase dhe duhet të funksionojë më mirë”, tha Soros në një fjalim në vitin 2011 në Cato Institute, një institut libertarian i bashkëthemeluar nga Koch.
Në vitin 2020, Fondacioni për Promovimin e Shoqërisë së Hapur i Sorosit i dha 150 mijë dollarë Cato Institute për të ndihmuar në ndërtimin e një konsensusi kombëtar për t’i dhënë fund politikave që dëmtojnë viktimat e abuzimeve policore dhe llogaridhënien e policisë.
Rasti interesant i Scott Bessent
Trump e ka quajtur Sekretarin e Thesarit Scott Bessent “një nga njerëzit më brilantë të Wall Street”.
Por përpara se të bëhej një nga mbledhësit kryesorë të fondeve për fushatën e Trump-it dhe më pas të kryesonte Departamentin e Thesarit, Bessent ishte partner menaxhues i zyrës së Soros Fund Management në Londër nga 1991 deri në 2000. Ai më vonë u rikthye të punonte për Soros si shef i investimeve nga 2011 deri në 2015.
Bessent u largua në vitin 2015 dhe mori një investim prej 2 miliardë dollarësh nga Soros për të nisur fondin e tij spekulativ, Key Square Group.
“(Bessent) e krahasoi Presidentin Trump me ish-shefin e tij, George Soros, duke thënë se ata kishin tipare dhe sjellje të ngjashme”, raportoi gazetari i Bloomberg News, Ed Ludlow, duke cituar burime që dëgjuan Bessent gjatë pjesëmarrjes në korrik, në konferencën vjetore Allen & Company Sun Valley në Idaho.
Çfarë kanë thënë aleatët e Trump për Soros?
Në maj 2023, një përdorues i X mbrojti Sorosin si dikë me qëllime të mira, që kritikohen nga ata që nuk pajtohen me politikën e tij, pasi Elon Musk postoi se “Soros më kujton Magneton”, personazhin negativ të librave komikë. Musk iu përgjigj përdoruesit: “Ti mendon se ai ka qëllime të mira. Nuk ka. Ai dëshiron të gërryejë vetë strukturën e qytetërimit. Soros e urren njerëzimin”.
Musk, i cili bëri fushatë për Trump në vitin 2024, nuk është i vetmi kritik i Sorosit.
“Asnjë person tjetër nuk e ka minuar më shumë demokracinë tonë se George Soros”, postoi më 19 mars 2023 në X kongresmenja republikane Marjorie Taylor Greene nga Georgia. “Pse (ai) ende lejohet të mbajë shtetësinë amerikane?”.
Soros shpesh sulmohet si një “globalist” që manipulon fshehurazi financat ndërkombëtare, një akuzë që shumë e interpretojnë si antisemitizëm. Një episod i “Tucker Carlson Originals” që u transmetua në Fox News në vitin 2022 kishte titullin: “Hungaria kundër Sorosit: Lufta për qytetërimin”.
“Ndryshe nga kërcënimet nga sovjetikët dhe perandoria osmane, kërcënimi që paraqet George Soros dhe organizatat e tij jofitimprurëse është shumë më i fshehtë dhe i vështirë për t’u dalluar”, thotë Carlson në episod.
Soros fiton para në Wall Street
Soros, me origjinë hungareze dhe i lindur në vitin 1930, u zhvendos në Londër pasi mbijetoi pushtimin nazist të vendit të tij. Ai më pas u diplomua në London School of Economics në vitin 1952 dhe u transferua në Shtetet e Bashkuara në 1956 për të nisur një karrierë të suksesshme në financë.
Në vitin 1970, ai krijoi fondin e tij spekulativ, Soros Fund Management, që kontribuoi në pjesën më të madhe të pasurisë së tij. Në vitin 1973, ai u bë partner me Jim Rogers për të bashkëthemeluar Quantum Fund, një fond shumë i suksesshëm që përfitoi nga zhvlerësimet e monedhave.
Në vitin 1992, Soros mori vëmendje të shtuar për “Të Mërkurën e Zezë”, kur fitoi rreth 1 miliard dollarë nga bastet kundër paundit britanik.
Në një intervistë të vitit 1994 me Charlie Rose të PBS, Soros tha se kishte rreth 100 milionë dollarë kur nisi të merrej me filantropi në vitin 1979.
Sot Soros ka një pasuri prej 7,5 miliardë dollarësh, sipas Bloomberg Billionaires Index. Në vitin 2017, ai dhuroi plot 18 miliardë dollarë për Open Society Foundations, duke e çuar totalin e dhurimeve të tij që nga viti 1984 në 32 miliardë dollarë.
“Suksesi im në tregjet financiare më ka dhënë një shkallë më të madhe pavarësie sesa shumicës së njerëzve. Kjo më detyron të marr qëndrime mbi çështje kontroverse kur të tjerët nuk mund ta bëjnë këtë, dhe marrja e këtyre qëndrimeve ka qenë vetë një burim kënaqësie”, tha Soros në një ese të vitit 2011 të botuar në The New York Review of Books. (A2 Televizion)